Këngëtarja dhe artistja e njohur, Rozana Radi, ka befasuar ndjekësit me postimet e fundit në rrjetet sociale, përmes të cilave ka zbuluar arsyen pse gjatë kësaj periudhe është shfaqur më rrallë në publik dhe në ekran, si dhe pse ka mbajtur syze.
Përmes disa postimeve në Instastory, ajo ka ndarë fotografi që tregojnë lëndimin në syrin e djathtë, duke sqaruar se aksidenti ka ndodhur gjatë aktivitetit fizik.
Në fotografinë e parë, Rozana ka publikuar një pamje nga afër të syrit të lënduar, ku vërehen ënjtja dhe skuqja e zonës, si dhe shenja të trajtimit mjekësor.
Ndërsa në fotografinë e dytë, ajo shfaqet para pasqyrës, duke bërë shenjën e fitores me gishta, një veprim që tregon se po e përballon këtë situatë me optimizëm.
“Më pyesni pse mbaj syze këtë periudhë dhe përse nuk dal shpesh as në ekran, as në Instagram.
Siç mund ta shihni, gjatë aktivitetit fizik rrëshqita dhe pësova një dëmtim në zonën e syrit të djathtë. Po ndiqem nga mjekët e spitalit dhe ndërkohë pres të rikuperohem e të vazhdoj aktivitetet e mia.
PS: Më e keqja ka kaluar tashmë. Faleminderit për interesimin”, ka shkruar artistja, duke sqaruar kështu arsyen e mungesës së saj të fundit.
Pavarësisht lëndimit, Rozana ka treguar se nuk ka ndërmend të heqë dorë nga angazhimet profesionale.
Ajo ka bërë të ditur se ka vazhduar xhirimet edhe në këto kushte, ndonëse do të duhej të shmangte makijazhin për rreth një muaj.
“Kam xhiruar me këtë sy që shikoni. Nuk duhet të isha lyer për një periudhë njëmujore, por datat ishin të caktuara dhe duhej të xhiroja patjetër”, ka shkruar ajo.
Por mesazhi i saj më i fortë lidhet me pjesëmarrjen në festivalin “Kënga Magjike”.
Rozana u është përgjigjur drejtpërdrejt atyre që kanë vënë në dyshim nëse do të ngjitet në skenë pas këtij dëmtimi, duke treguar se vendimi i saj është i prerë.
“Për të gjithë kureshtarët ose ‘keqdashësit’, dua t’ju them se jo vetëm me syrin e lënduar, por edhe me një sy të vetëm nuk do të tërhiqesha nga Festivali i Këngës Magjike.
Jam ende shumë e ënjtur dhe do të më duhet kohë që gjithçka të kthehet në normalitet, por kjo nuk e ndryshon as këngën, as performancën e saj”, ka përfunduar artistja.
Me këtë reagim, Rozana ka bërë të qartë se, pavarësisht vështirësive shëndetësore, është e vendosur të vazhdojë përgatitjet dhe të marrë pjesë në “Këngën Magjike”.
Ndërkohë, ajo ka treguar se gjendja e saj po ndiqet nga mjekët dhe se rikuperimi do të kërkojë ende kohë. /Prive By LS




