Një grua ka rrëfyer në Reddit një ngjarje që e ka frikësuar, pikërisht në kohën kur po përgatitej të largohej nga bashkëshorti, pas 17 vitesh martesë.
Sipas saj, marrëdhënia e tyre ishte përkeqësuar me kalimin e viteve. Ajo pretendoi se bashkëshorti sillej në mënyrë kontrolluese dhe se kishte përjetuar abuzim emocional. Për këtë arsye, gruaja kishte filluar të planifikonte ndarjen dhe të përgatitej për një jetë të pavarur.
Por, gjatë kësaj periudhe, ajo vërejti diçka të pazakontë në laptopin e saj. Ekrani lëvizte vetë, ndërsa hapeshin dosje dhe shfletuesi pa e prekur ajo pajisjen. Më vonë, zbuloi se në kompjuter ishte përdorur një program i quajtur ScreenConnect, i cili mundëson kontrollimin e pajisjes nga distanca.
Gruaja dyshoi se dikush mund të kishte pasur qasje në laptopin e saj pa dijeninë e saj. Ajo vërejti se disa nga aktivitetet përkonin me kohën kur bashkëshorti punonte nga shtëpia, por nuk kishte prova që ai ishte personi përgjegjës.
Pas këtij zbulimi, ajo tha se kishte kërkuar këshilla ligjore dhe ndihmë teknike për të kuptuar se çfarë kishte ndodhur. Gjithashtu, tregoi se dëshironte ta përshpejtonte largimin nga shtëpia me djalin e saj, pasi ndihej e pasigurt. Rrëfimi i saj hapi diskutime në internet për privatësinë, kontrollin në marrëdhënie dhe sigurinë e pajisjeve personale.
Shënim: Rrëfimi është publikuar në Reddit në mënyrë anonime. Për këtë arsye, emri dhe të dhënat identifikuese të personit nuk publikohen.
/Prive Bruto


