Pas muajsh spekulimesh për aktorin që do të marrë rolin ikonik të James Bond-it, gara duket se po hyn në një fazë vendimtare.
Mes emrave që janë përmendur si kandidatë të mundshëm janë edhe Theo James dhe Jacob Elordi, ndërsa së fundmi vëmendja është përqendruar te tre aktorë të tjerë.
Sipas Deadline, testimet për rolin e agjentit të famshëm 007 mund të nisin që këtë të premte dhe të vijojnë gjatë javës së ardhshme.
Mes aktorëve që pritet të marrin pjesë në audicione janë Jack Lowden, Callum Turner dhe Josh O’Connor.
Një nga emrat që po tërheq vëmendje është Callum Turner, aktori britanik dhe bashkëshorti i këngëtares shqiptare me famë ndërkombëtare, Dua Lipa.
Ai përmendet si një nga kandidatët e mundshëm për të interpretuar personazhin ikonik, i cili prej dekadash mbetet ndër figurat më të njohura të kinematografisë botërore.
Megjithatë, deri më tani nuk ka një konfirmim zyrtar se cili aktor do të përzgjidhet për të marrë rolin e James Bond-it të ardhshëm.
Nëse raportimet për testimet konfirmohen, ato mund të shënojnë një hap të rëndësishëm drejt vendimit përfundimtar.
Tashmë, mbetet të shihet se cili prej tre aktorëve do të përzgjidhet për të marrë rolin e agjentit legjendar 007, një vendim që fansat e sagës presin ta mësojnë me padurim. /Prive By LS


