Një moment i papritur në një dasmë në Stamboll ka tërhequr vëmendjen e mediave turke, ku në qendër të vëmendjes kanë qenë aktori i njohur Çağatay Ulusoy dhe partnerja e tij, Aslıhan Malbora.
Këngëtari turk Serdar Ortaç, i cili performonte në dasmën e aktores Itır Esen dhe menaxherit Engin Aykanat, i është drejtuar aktores Malbora me një pyetje të papritur për martesën e saj me Ulusoy.
Gjatë momentit në skenë, Ortaç e ka ftuar Malboran pranë tij, e ka komplimentuar për pamjen dhe më pas, duke iu referuar aktorit që ndodhej pas saj, e ka pyetur: “A do të martohesh me këtë?”.
Pyetja e papritur e ka vënë aktoren në siklet, ndërsa ajo është dukur e befasuar dhe për një moment nuk ka ditur si të reagojë. Nga ana tjetër, Çağatay Ulusoy e ka përcjellë situatën me buzëqeshje.
Çifti, lidhja e të cilit u bë publike pas njohjes në xhirimet e serialit “Kübra”, vazhdon të tërheqë interesimin e mediave turke. Megjithatë, momenti në fjalë nuk përbën konfirmim se dy aktorët kanë plane konkrete për martesë.
Deri më tani, pyetja e Serdar Ortaçit mbetet një nga momentet më të komentuara të mbrëmjes, ndërsa nuk ka ndonjë njoftim të ri nga çifti për martesë. /Prive By LS


