Në deklaratën e siguruar nga Sinjali, viktima Arlinda Zekaj kishte rrëfyer se mbrëmjen e së dielës, më 25 tetor, e kishte denoncuar bashkëshortin e saj, Jeton Sylaj, në Policinë e Kosovës në Pejë, nën dyshimin për kanosje.
Ajo kishte deklaruar se ngjarja kishte ndodhur rreth orës 17:00, pasi kishte dalë nga banja dhe kishte pritur që lavatriçja të përfundonte larjen e rrobave të anëtarëve të familjes së Jetonit.
Pasi kishte përfunduar larja, ajo kishte futur rrobat e saj në lavatriçe dhe e kishte ndezur atë, ndërsa më pas kishte shkuar në kuzhinë për të ngrënë.
Sipas deklaratës, në atë moment bashkëshorti kishte filluar të bërtiste dhe ta kërcënonte me fjalët:
“Unë të thej, të mbys, çka lyp ti në shtëpinë time, ti nuk guxon kështu me vepru, kush je ti”.
Më pas, ai dyshohet se i kishte marrë rrobat e saj dhe i kishte hedhur në oborrin e shtëpisë, veprim të cilin, sipas deklaratës, e kishin parë edhe zyrtarët policorë.
Zekaj kishte deklaruar se, e frikësuar nga situata, e kishte thirrur menjëherë Policinë.
“A duhet me më vra Jetoni që ju Policia atëherë ta arrestoni shizofenin”, thuhet në deklaratën e saj të dhënë pranë Policisë.
Pas dhënies së deklaratës, Arlinda Zekaj kishte kërkuar të kthehej në shtëpi.
Megjithatë, kur ishte pyetur nëse ndihej e sigurt të qëndronte aty, duke pasur parasysh se në të njëjtën shtëpi jetonin edhe familjarët e bashkëshortit, ajo ishte shprehur se nuk ndihej mjaftueshëm e sigurt për shkak të tyre.
“Jo, unë nuk pranoj që të shkoj në strehimore, unë dua të shkoj në shtëpinë time. Nuk e di veten të sigurt sa duhet, por nuk heq dorë nga djali dhe pasuria ime. Shteti ka pasur obligim dhe ka për t’i larguar uzurpatoret nga shtëpia ime”, thuhet më tej në deklaratën e saj.
/Prive By LS


