Pas disa ditësh mungesë komunikimi, që nxiti shqetësime dhe aludime për zhdukjen e tij, gazetari Elton Tozaj është rikthyer me një reagim në rrjetet sociale.
Tozaj, i cili ditët e fundit ishte në qendër të vëmendjes për shkak të denoncimeve të tij publike, ka falënderuar të gjithë ata që janë interesuar për gjendjen e tij.
“Shumë faleminderit të gjithë atyre që u interesuan sinqerisht për mua”, shkroi ai në një postim në InstaStory.
Në reagimin e tij, gazetari ka zbuluar se telefonat e tij i janë nënshtruar një kontrolli lidhur me kërcënimet që pretendon se ka marrë, duke paralajmëruar se situata do të vazhdojë të jetë nën mbikëqyrje.
“Telefonat e mi iu nënshtruan një kontrolli për kërcënime e tash e në vijim çdo gjë do të jetë nën mbikëqyrje të rreptë për çdo situatë të ngjashme”, u shpreh Tozaj, pa dhënë detaje të tjera për procedurën.
Ai nuk i ka kursyer as kritikat ndaj mediave që raportuan për gjendjen e tij, duke deklaruar se çështjen ua ka lënë Zotit dhe ligjit.
“Media që më bënë të vdekur i kam lënë Zotin dhe gjyqin! Ato që abuzuan në emër të familjes time Zotin dhe ligjin!”, shkroi ai.
Kujtojmë se shqetësimi për gazetarin u ngrit pasi Ilir Vrenozi dhe Elton Ilirjani bënë të ditur se nuk kishin arritur të komunikonin me të. Më pas, nëna e Tozajt konfirmoi publikisht se kishte folur me të dhe se ai ishte mirë.
E gjithë kjo situatë erdhi pak ditë pasi Tozaj publikoi fotografi ku shfaqej i gjakosur, duke pretenduar se ishte sulmuar fizikisht nga disa persona.
Reagimi i fundit shënon rikthimin e tij publik pas aludimeve të shumta, ndërsa rrethanat e plota të ngjarjeve dhe kërcënimeve të pretenduara mbeten ende të paqarta. /Prive By LS



