Pas muajsh spekulimesh dhe diskutimesh për aktorin që do të merrte rolin e agjentit më të famshëm në botë, më në fund është zbuluar emri i James Bondit të ri.
Aktori britanik Robert Pattinson, 40 vjeç, është përzgjedhur zyrtarisht për të interpretuar agjentin 007, duke pasuar Daniel Craig, i cili e luajti këtë personazh në pesë filma.
Sipas “The Guardian”, lajmi u bë i ditur këtë të hënë, më 16 nëntor, përmes llogarive zyrtare të James Bond në rrjetet sociale, ku fillimisht u publikua një mesazh misterioz, e më pas fotografia e parë e Pattinsonit me kostumin karakteristik të agjentit sekret.
Aktori, i njohur për rolet e tij në “Twilight”, “Harry Potter” dhe “The Batman”, bëhet kështu aktori i shtatë që merr përsipër interpretimin e personazhit legjendar në serinë zyrtare të filmave.
Filmi i ri, i cili do të jetë i 26-ti i sagës, do të drejtohet nga regjisori i njohur Denis Villeneuve, ndërsa skenari do të shkruhet nga Steven Knight, krijuesi i serialit të famshëm “Peaky Blinders”.

Përzgjedhja e Pattinsonit është vlerësuar edhe nga kritiku i filmit Peter Bradshaw, i cili në një analizë për “The Guardian” e konsideron aktorin një zgjedhje të shkëlqyer, duke theksuar aftësinë e tij për t’i dhënë personazhit më shumë mister, elegancë dhe kompleksitet.
Ky projekt shënon gjithashtu një kapitull të ri për James Bond, pas kalimit të kontrollit krijues të ekskluzivitetit te Amazon MGM Studios në vitin 2025. Ndërkohë, titulli dhe data e premierës së filmit të ri ende nuk janë bërë të ditura. /Prive By LS


