Instagram ka prezantuar një funksion të ri që pritet t’ua lehtësojë përdoruesve publikimin e përmbajtjeve në rrjetin social. Tashmë, Story-t mund të editohen edhe pasi janë publikuar, pa qenë nevoja të fshihen dhe të postohen sërish.
Risia është konfirmuar nga drejtuesi i Instagramit, Adam Mosseri, i cili ka bërë të ditur se përdoruesit do të kenë mundësi të korrigjojnë gabimet drejtshkrimore, të ndryshojnë tekstin, muzikën, sticker-at dhe vizatimet e vendosura në Story.
Megjithatë, ky funksion ka një kufizim të rëndësishëm. Ndryshimet mund të bëhen vetëm brenda 15 minutave të para nga momenti i publikimit.
Për të përdorur këtë mundësi, mjafton të hapni Story-n e publikuar, të klikoni te tri pikat në këndin e poshtëm dhe të zgjidhni opsionin “Edit Story”.
Një tjetër përparësi është se ndryshimet nuk ndikojnë në shikimet, pëlqimet apo përgjigjet e marra më parë. Kështu, përdoruesit nuk do të humbasin ndërveprimet e grumbulluara deri në atë moment.
Përveç këtij funksioni, Instagram ka paralajmëruar edhe risi të tjera, përfshirë fonte, ngjyra dhe forma të reja për sticker-at, si dhe mundësi shtesë për personalizimin e përmbajtjeve.
Funksioni i ri ka nisur të jetë i disponueshëm gradualisht për përdoruesit, duke sjellë një zgjidhje praktike për ata që deri më tani detyroheshin të fshinin një Story për shkak të një gabimi të vogël. /Prive By LS


