Reperi Ensar Elshani, i njohur si Fuego, ka ndarë një nga rrëfimet më personale gjatë spektaklit të së premtes në “Big Brother VIP Kosova 5”, duke folur hapur për të kaluarën e tij, varësinë nga substancat narkotike dhe periudhat e vështira që ka përjetuar.
Fuego tregoi se kishte nisur përdorimin e substancave narkotike që në moshën 12-vjeçare, ndërsa me kalimin e viteve situata ishte përkeqësuar. Ai pranoi se kishte abuzuar me drogën, duke zbuluar se edhe paratë që fitonte nga muzika i shpenzonte për të.
Një nga pjesët më të rënda të rrëfimit ishte ajo për mbidozat që kishte përjetuar. Reperi tregoi se tri herë kishte qenë mes jetës dhe vdekjes, duke kaluar momente që kishin rrezikuar seriozisht jetën e tij.
Ai foli edhe për dhimbjen që u kishte shkaktuar familjarëve, veçanërisht nënës së tij, e cila kishte përjetuar frikën se mund ta humbiste të birin. Gjatë spektaklit, edhe ajo ndau përjetimet e saj, duke kujtuar periudhën e vështirë që kishte kaluar familja.
Në rrëfimin e tij, Fuego përmendi edhe reperin Mozzik, duke zbuluar se ky i fundit e kishte ndihmuar financiarisht në një periudhë të vështirë. Ai u shpreh mirënjohës për këtë gjest, duke theksuar se nuk do t’ia harronte sa të ishte gjallë.
Mbrëmja solli edhe një moment emocionues, kur Fuego u takua me prindërit e tij. Pas gjithë vështirësive që kishte kaluar, reperi u shpreh se pjesëmarrjen në “Big Brother VIP Kosova” e sheh si fillimin e një kapitulli të ri në jetën e tij.
Përmes historisë së tij, ai përcolli edhe një mesazh për të gjithë ata që po përballen me varësinë, duke i inkurajuar të kërkojnë ndihmë dhe të mos heqin dorë nga përpjekjet për të ndryshuar jetën. /Prive By LS


