Evisa Pacolli, përfaqësuesja e Kosovës në “Miss Universe 2026”, ka prezantuar kostumin e saj kombëtar në skenën e konkursit ndërkombëtar të bukurisë, që këtë vit po zhvillohet në Porto Riko.
Gjatë prezantimit të kostumeve kombëtare, të mbajtur më 21 nëntor, bukuroshja kosovare u shfaq me një krijim të frymëzuar nga ngjyrat e flamurit të Kosovës, ku binin në sy krahët e mëdhenj në ngjyrë të kaltër.
Përmes një postimi në Instagram, Evisa ka shpjeguar simbolikën që qëndron pas veshjes, duke theksuar se çdo detaj i saj përfaqëson një pjesë të historisë dhe identitetit të vendit tonë.
“Krahët simbolizojnë lirinë për të cilën populli ynë luftoi aq shumë dhe forcën e një kombi që, pavarësisht gjithçkaje që ka përjetuar, vazhdon të ngrihet”, ka shkruar ajo.
Evisa ka theksuar se Kosova mund të jetë një vend i vogël, por historia e saj është e mbushur me guxim, sakrificë dhe shpresë. Sipas saj, çdo element i kostumit është menduar për të pasqyruar identitetin dhe rrugëtimin e popullit të Kosovës.
“Mbrëmë mbarta më shumë sesa një kostum. Mbarta një pjesë të historisë sonë, popullit tonë dhe krenarisë sonë”, është shprehur ajo në përfundim të mesazhit.
Kujtojmë se Evisa Pacolli u kurorëzua “Miss Universe Kosova 2026”, duke fituar të drejtën për ta përfaqësuar vendin në edicionin e 75-të të konkursit ndërkombëtar të bukurisë. /Prive By LS
View this post on Instagram


