Aktorja e njohur Sienna Miller ka mirëpritur në jetë fëmijën e saj të tretë! Ylli 44-vjeçar konfirmoi lajmin e ëmbël gjatë një interviste të fundit për E! News, duke zbuluar se është bërë nënë me partnerin e saj, Oli Green, 29 vjeç.
Ndonëse nuk e ka bërë ende të ditur gjininë apo emrin e foshnjës, Sienna nuk e fshehu dot gëzimin e saj, pavarësisht lodhjes nga netët pa gjumë. “Ka ndodhur. Kam një foshnjë të vogël në dhomën ngjitur,” u shpreh ajo duke bërë shaka se lidhja e fjalive ishte bërë pak sfiduese për shkak të mungesës së gjumit. “Por jam marrëzisht e dashuruar me beben time,” shtoi aktorja.
Kjo është fëmija i tretë për Miller, e cila mirëpriti një vajzë me Green në fund të vitit 2023, ndërsa është gjithashtu nënë e Marlowe, 13 vjeç, nga lidhja e saj e mëparshme me Tom Sturridge.
Sienna u rikthye në Instagram në mars të vitit 2026 pas një pauze prej 8 vitesh, pikërisht për të ndarë foto me barkun e rrumbullakosur.
Në një intervistë për Glamour, aktorja foli hapur se pse mendon se shtatzënia në të 40-at është periudha më e mirë:
“Pasi kam pasur një fëmijë në moshën 29-vjeçare, pastaj në të 42-at dhe tani në të 44-at, mund të them se është shumë më e lehtë kur nuk ke konfliktin e brendshëm të dëshirës për të bërë një mijë gjëra njëkohësisht. Jeta tani është më e qëndrueshme.”
Aktorja e “Anatomy of a Scandal” shpjegoi se në moshën 40-vjeçare e njeh veten më mirë dhe nuk i intereson më opinioni i të tjerëve. Ajo nuk la pa përmendur edhe standardet e dyfishta që ekzistojnë në shoqëri për moshën e prindërimit.
“Ne nuk i gjykojmë burrat që bëhen me fëmijë në të 80-at e tyre. Pse duhet të ekzistojë një paragjykim i tillë për gratë?” pyeti ajo, duke mbrojtur vendimin e saj për të zgjeruar familjen në një moshë më të pjekur dhe të vetëdijshme. /Prive By Liberta Spahiu



