Influencerja dhe nutricionistja 30-vjeçare nga Melbourne ndërroi jetë pas komplikimeve jashtëzakonisht të rralla që ndodhën gjatë lindjes së djalit të saj të parë, Axel, në shtëpi.
Stacey ishte e njohur për videot e saj mbi ushqimin dhe jetesën e shëndetshme, të cilat ndiqeshin nga mijëra njerëz në rrjetet sociale.
Bashkëshorti i saj, Nathan Hatfield, konfirmoi lajmin përmes një deklarate prekëse ku tregoi se, ndonëse lindja kishte përfunduar me sukses, pas pak minutash ndodhi një komplikim i papritur, dhe Stacey humbi jetën pasi u dërgua me urgjencë në spital.
“Me zemër të thyer ndaj lajmin për ndarjen nga jeta të bashkëshortes, shpirtit tim binjak dhe mikeshës sime më të mirë, Stacey Warnecke. Ajo ndërroi jetë më 29 shtator 2025, pak pasi solli në jetë djalin tonë të parë, Axel,” – shkroi ai.
“Stafi i spitalit bëri gjithçka që mundi, por fatkeqësisht asgjë nuk mund të ndryshonte rezultatin. Stacey ishte drita e jetës sime, arsyeja pse zgjohem çdo mëngjes. Ishte gruaja më e dashur, punëtore, e zgjuar dhe e ndershme që kam njohur ndonjëherë.”
Nathan kujtoi me mall ditën e tyre më të lumtur — dasmën në plazhin me rërë të bardhë të Maldiveve — dhe e përfundoi dedikimin e tij me fjalët:
“Ngushëllimi im i vetëm është që në momentet e saj të fundit ajo ishte më e lumtur se kurrë më parë.”
Ai nuk ka zbuluar më shumë detaje mbi natyrën e komplikimeve që shkaktuan vdekjen e saj.
Nathan gjithashtu ka hapur një faqe GoFundMe për të ndihmuar veten dhe djalin e tyre, ku deri më tani janë mbledhur mbi 33,000 dollarë australianë (rreth 21,453 dollarë amerikanë) nga objektivi prej 50,000 dollarësh. /Prive By Liberta Spahiu