Pas një periudhe shkëputjeje nga programi që ngriti shumë pikëpyetje tek publiku, Arnoldi dhe Katerina janë rikthyer sot në “Për’puthen” për të ndarë një lajm shumë të veçantë. Dyshja ka konfirmuar se janë në pritje të fëmijës së tyre të parë.
Përmes një videoje të publikuar në faqen zyrtare të emisionit, çifti shfaqet gjatë një vizite mjekësore ku Katerina po kryen ekografinë, e shoqëruar nga Arnoldi. Ky është një moment i rëndësishëm për formatin, pasi bëhet fjalë për fëmijën e dytë që vjen në jetë nga një çift i njohur e i krijuar në këtë emision, pas atij të Vedatit dhe Roelës.
Që nga fillimi i këtij sezoni në muajin shtator, Arnoldi dhe Katerina kanë qenë padyshim ndër protagonistët kryesorë. Rrugëtimi i tyre në ekran u shoqërua me shumë ulje-ngritje, duke përfshirë momente afrimiteti të madh, por edhe debate të forta e xhelozi të shpeshta brenda studios. Megjithatë, pavarësisht vështirësive dhe paqartësive që çuan në zhdukjen e tyre nga emisioni, dyshja duket se e ka konsoliduar marrëdhënien jashtë syrit të kamerave, duke e kurorëzuar dashurinë e tyre me këtë pritje të ëmbël.
/Prive By Liberta Spahiu


