Një detaj në postimin e fundit të Bes Kallakut nuk ka kaluar pa u vënë re.
Aktori ka publikuar një fotografi teksa shfaqet duke u lutur para një kryqi, por ajo që tërheq vëmendjen është unaza në gishtin e tij. Postimin e ka shoqëruar me këngën “Happiest Year” të Jaymes Young, ku dëgjohet edhe vargu që në shqip përkthehet: “Faleminderit për vitin më të lumtur të jetës sime”.
Vetë Besi ka shkruar krahas fotografisë vetëm: “Faleminderit Zot”.
Detaji bëhet edhe më interesant duke marrë parasysh mënyrën se si Kallaku ka folur muajt e fundit për partneren e tij, Ejona. Në janar ai bëri tatuazh emrin e saj, të shoqëruar me datën 25.12.2025 dhe dedikimin “Trëndafil në kohë lufte”, ndërsa më pas e konfirmoi publikisht lidhjen.
Gjatë një koncerti, Besi tregoi se pas një periudhe kur i kishte humbur buzëqeshja, Ejona ishte personi që ia kishte rikthyer atë, duke e mbyllur deklaratën publikisht me fjalët: “Ejona, të dua!”.
Megjithëse Besi ka publikuar edhe fotografi pranë saj, identiteti i plotë dhe fytyra e Ejonës vazhdojnë të mbeten larg publikut, me çiftin që duket se ka zgjedhur ta ruajë këtë pjesë të marrëdhënies private.
Tani, unaza në gisht, “Faleminderit Zot” dhe zgjedhja e këngës “Happiest Year” kanë ngritur dyshimet se dyshja mund të ketë hedhur një tjetër hap të rëndësishëm në lidhjen e tyre.
Nëse bëhet fjalë për fejesë apo martesë, këtë Besi ende nuk e ka konfirmuar. /Prive By Liberta Spahiu


