CNN i ka kushtuar sot sërish një artikull të gjerë protestave në Shqipëri kundër projektit kontrovers të resortit luksoz të Ivanka Trump dhe Jared Kushner në zonën e mbrojtur Vjosa-Nartë, duke vënë në qendër zemërimin e qytetarëve shqiptarë që po dalin prej disa ditësh në sheshe.
Sipas CNN, mijëra protestues kanë mbushur rrugët e Tiranës duke mbajtur flamuj dhe simbole rozë të flamingove – simboli i protestës – për të kundërshtuar ndërtimin e një resorti luksoz që kërcënon një nga zonat më të rëndësishme ekologjike në Mesdhe.
Artikulli thekson se projekti përfshin një ishull 1.400 hektarësh (Ishulli i Sazanit) dhe disa kilometra bregdet në zonën e mbrojtur Pishë Poro-Nartë, ku ndodhen habitate të rëndësishme për flamingot, pelikanët, breshkat e detit dhe specie të tjera të rrezikuara.
“Protestuesit mbanin prerje kartoni rozë të flamingove, habitati i të cilëve po kërcënohet”, shkruan CNN, duke nënvizuar se ky projekt ka ndezur një revoltë të gjerë në Shqipëri, një nga vendet me nivelin më të ulët të mirëqenies në Evropë.
Reagimet ndërkombëtare dhe lokale
CNN citon edhe ekspertë mjedisorë si Ariel Brunner nga BirdLife Europe, i cili tha se punimet me ekskavatorë kanë filluar pa leje të dukshme në zonën e mbrojtur.
Organizatat mjedisore shqiptare si PPNEA paralajmërojnë se dëmet në dunat e rërës dhe lagunën e Nartës mund të jenë të pakthyeshme.
Kryeministri Edi Rama ka mbrojtur projektin, duke thënë se nuk ka filluar ende dhe se po bëhet vlerësimi i ndikimit mjedisor. Ai ka theksuar se zhvillimi turistik mund të bashkëjetojë me mbrojtjen e natyrës.
Ndërkohë, Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka hapur hetim mbi çështjen, ndërsa Komisioni Evropian ka shprehur shqetësim për ndryshimet ligjore të vitit 2024 që lejojnë ndërtime luksoze brenda zonave të mbrojtura.
Protestat, që filluan si kundërshtim lokal, janë kthyer në një lëvizje më të gjerë nën emrin “Revolucioni i Flamingos”, me parullën kryesore: “Shqipëria nuk është në shitje”. /Prive Bruto



