Pas dasmës civile të festuar në fshehtësi të plotë në Londër më 31 maj, ylli botëror i popit Dua Lipa dhe aktori i njohur britanik Callum Turner kanë zbritur zyrtarisht në Palermo me avionin e tyre privat.
Çifti i shumëpërfolur u fotografua në tarracën panoramike të hotelit luksoz me pesë yje Grand Hotel Villa Igiea, që shërben si selia kryesore e eventit dhe ku dyshja ka rezervuar një kat të tërë suitash për familjarët dhe miqtë, përfshirë suitën e tyre presidenciale që kap vlerën e rreth 7 mijë eurove për natë.
Megjithatë, jo çdo gjë po shkon e qetë, pasi në rrugët e Palermos, banorët dhe aktivistët kanë vendosur postera të shumtë nëpër muret e qytetit ku shkruhet qartë:
“Sheshi ynë nuk është dhoma juaj e ndenjës”, duke shprehur një revoltë të hapur dhe duke i kthyer këto postera kundër Dua Lipës në qendër të vëmendjes mediatike.

Pavarësisht tensioneve, dasma treditore që kap vlerën e 1.75 milionë eurove po organizohet nga dasmëorja e famshme Alessandra Grillo.
Festimet përfshijnë pika historike si Galleria d’Arte Moderna (e mbyllur ekskluzivisht për 10 mijë euro), Palazzo Gangi dhe Villa Valguarnera në Bagheria.
Mes 300 të ftuarve VIP, përveç yjeve si Charli XCX (e cila mbërriti me bashkëshortin George Daniel), Elton John e Mark Ronson, do të ketë edhe atmosferë shqiptare.
Nga burime për Prive By Liberta Spahiu është raportuar se në dasmë do të performojë Sinan Vllasaliu, ndërsa i ftuar është edhe Besnik Çaka
Dua pritet të parakalojë drejt altarit me një fustan unik nga Versace, pas takimeve të fundit me Donatella Versace-n, ndërsa menuja është kuruar nga një chef romak me dy yje Michelin. /Prive By Liberta Spahiu



