Këngëtarja e njohur Nora Istrefi ka reaguar publikisht pas vrasjes tragjike të Arlinda Zekajt në Vitomiricë të Pejës, duke konfirmuar se do të marrë pjesë në protestën e thirrur në Prishtinë.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Nora ka shprehur pikëllimin dhe revoltën e saj për pasigurinë me të cilën përballen gratë.
“Më dhemb që po kërkojmë ende gjënë më themelore: që një grua të jetë e sigurt, të jetojë pa frikë dhe të kthehet në shtëpi. Për Arlinda Zekajn, fjalët më duken të pakta. Mendimet e mia janë me familjen dhe me të gjithë ata që e deshën,” ka shkruar ajo.
Nora u ka bërë thirrje qytetarëve që t’i bashkohen këtij marshimi për kërkim drejtësie:
“Nesër do të jem në protestë. Si grua, si nënë, me dhimbje dhe me kërkesën që nuk duhet të pushojë: drejtësi për Arlindën dhe mbrojtje për çdo grua. Ju ftoj të jemi bashkë”.
Reagimi i saj vjen pas njoftimit nga Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist, i cili ka thirrur protestë për ditën e mërkurë, në orën 16:00, në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë.
Kjo organizatë ka bërë me dije se protesta do të mbahet me moton “Vrasja e grave të trajtohet si urgjencë kombëtare”,si përgjigje ndaj valës së dhunës dhe vrasjeve të grave në vend. /Prive By LS



