Raporti i Adionit me Fabiolën brenda “Ferma VIP 3” po zhvillohet vazhdimisht para syve të publikut, duke krijuar një afrimitet që mori vëmendjen e plotë të ndjekësve. Megjithatë, dinamika reale duket shumë më e ndërlikuar sesa ajo që reflektohet para kamerave.
Gjatë qëndrimit në shtëpi, vetë Adioni ka qenë mjaft i paqartë në deklaratat e tij. Ai ka lënë të kuptohet disa herë se ekziston një person shumë i rëndësishëm në jetën e tij jashtë. Ndonëse është kujdesur të theksojë se aktualisht nuk janë në një lidhje aktive, mirëpo sipas burimeve të raportuara të “Pikante”, vajza që dyshohet se ai ka lënë jashtë formatit është pikërisht artistja Diona Fona.
Zëra për një histori të mundshme mes dyshes kanë qarkulluar edhe më parë, por redaksia e “Prive By Liberta Spahiu” nuk ka arritur të marrë asnjë përgjigje, as konfirmim dhe as demantim nga vetë këngëtarja.
Ajo që dihet me siguri është se ata kanë bashkëpunuar në muzikë vitin e kaluar, jo një, por disa herë. Madje, edhe më 2 shkurt, fare pak kohë para se të futej në “Fermë”, Adioni kishte paralajmëruar publikimin e një tjetër kënge me Dionën.
A kemi të bëjmë me një romancë të mbetur pezull apo gjithçka është një keqkuptim? Çdo gjë mbetet ende në pikëpyetje të plotë. /Prive By Liberta Spahiu


