Me koleksionin e parë, “The Instinct”, Festa Qoqaj kalon nga imazhi i fushatave të markave të tjera në rolin e themelueses. Në një rrëfim për Prive By Liberta Spahiu, ajo flet për muajt e punës larg syrit të publikut, skepticizmin ndaj markave të influencueseve dhe dëshirën për të ndërtuar diçka që shkon përtej emrit të saj.
Për vite me radhë, Festa Qoqaj ka qenë në anën e dukshme të modës. Para kamerës, në imazhet e fushatave dhe në një hapësirë digjitale ku çdo paraqitje analizohet deri në detajin më të vogël. Këtë herë, megjithatë, ajo nuk është vetëm gruaja që vesh një krijim. Është personi që ka qëndruar pas tij, nga ideja e parë deri te materiali, prerja, prodhimi dhe momenti kur veshja më në fund arrin te një grua tjetër.

Marka e saj e re mban emrin AFËR, ndërsa koleksioni debutues është pagëzuar “The Instinct”. Dy emërtime intime, pothuajse personale, që e zbulojnë menjëherë filozofinë mbi të cilën Festa dëshiron ta ndërtojë këtë kapitull të ri: afërsinë me veten dhe besimin te një ndjesi që jo gjithmonë mund të shpjegohet me logjikë.
“Besoj që logjika është e rëndësishme në biznes, por instinkti është ai që i jep identitet”, thotë ajo.
Gjatë procesit, Festa ka dëgjuar këshilla, ka peshuar mendime dhe është përballur me vendime që nuk kanë pasur gjithmonë një përgjigje të sigurt. Por në fund, siç tregon, është kthyer vazhdimisht te zëri i saj i brendshëm.
“Kam marrë shumë këshilla gjatë rrugës, disa shumë të vlefshme, por në fund gjithmonë jam kthyer te ndjenja ime. ‘The Instinct’ vjen pikërisht nga bindja se çdo herë duhet t’i besosh atij zërit të brendshëm, edhe kur nuk ka garanci që do të funksionojë. Instinkti më ka sjellë këtu ku jam.”
Në një industri që ecën me ritmin e trendeve, zgjedhja e instinktit mund të duket si rrezik. Për Festën, ai është pikërisht elementi që e ndan një produkt të menduar për t’u shitur nga një krijim që ka një identitet të vetin.
Më afër vetes
Edhe emri i markës nuk është zgjedhur rastësisht. AFËR tingëllon më shumë si një ndjesi sesa si një etiketë mode. Është një fjalë e thjeshtë, por e ngarkuar me intimitet: afër trupit, afër vetëbesimit, afër gruas që dëshiron të jesh.
“Në fakt është të dyja”, përgjigjet Festa, kur pyetet nëse emri është një ftesë për ta sjellë publikun më pranë botës së saj apo një mesazh që gratë të afrohen më shumë me veten.
“AFËR fillimisht lindi nga ideja që rrobat nuk duhet të jenë thjesht diçka që vesh, por diçka që të bën të ndihesh më afër vetes. Nëse një grua vesh një copë nga AFËR dhe ndihet më e sigurt, më femërore ose më e lirë të jetë vetvetja, atëherë ne e kemi arritur qëllimin tonë.”
Në këtë vizion, veshja nuk e transformon domosdoshmërisht gruan në dikë tjetër. Përkundrazi, duhet ta ndihmojë të ndihet më rehat me atë që tashmë është. Festa dëshiron që marka të krijojë edhe një lloj afërsie tjetër: atë mes saj, procesit krijues dhe grave që do t’i veshin dizajnet.
“Kam dashur të krijoj edhe një komunitet ku njerëzit ndihen afër me mua, me procesin dhe me historinë që po ndërtojmë së bashku”, shpjegon ajo.

Puna që nuk shihet në fotografi
Nga jashtë, lansimi i një marke mund të përmblidhet në disa imazhe të kuruara, një fushatë të realizuar me kujdes dhe një faqe që hapet për publikun. Por, për Festën, pjesa më e madhe e historisë ka ndodhur pikërisht aty ku nuk kishte kamera.
Kalimi nga fytyra e një fushate në personin përgjegjës për të gjithë markën ka qenë sfida më e madhe e këtij tranzicioni.
“Njerëzit shohin vetëm produktin final, por prapa tij ka pasur muaj të tërë pune, vendime të vështira dhe shumë pasiguri”, tregon ajo.
Për herë të parë, përgjegjësia nuk përfundonte kur mbyllej seti fotografik. Ajo vazhdonte me dizajnin, prodhimin, financat, logjistikën dhe dhjetëra vendime të tjera, të cilat publiku rrallë i sheh kur një markë prezantohet përfundimisht.
“Sfida më e madhe ka qenë të kaloj nga të qenit fytyra që promovon markat e tjera në personin që mban përgjegjësinë për çdo detaj. Kam kuptuar që të ndërtosh një brand kërkon shumë më tepër durim sesa duket nga jashtë, por është edhe gjëja më përmbushëse që kam bërë deri tani.”
Ka diçka domethënëse në mënyrën si Festa e përshkruan këtë proces. Jo si një lëvizje të menjëhershme nga influencuesja te sipërmarrësja, por si një periudhë të gjatë gjatë së cilës është dashur të mësojë të qëndrojë edhe pas vendimeve që nuk shihen, jo vetëm para rezultateve që fotografohen bukur.

Përtej emrit të njohur
Skepticizmi është pothuajse i pashmangshëm kur një figurë e njohur publike lançon një markë. Në një kohë kur emri dhe audienca mund të shndërrohen shpejt në produkte, kufiri mes një projekti të mirëfilltë dhe një zgjerimi të imazhit personal bëhet gjithnjë e më i hollë.
Festa nuk e shmang këtë diskutim.
“E kuptoj plotësisht skepticizmin, sepse sot është e zakonshme që figura publike të vendosin emrin e tyre mbi një produkt”, thotë ajo. “Për mua nuk ka qenë kurrë ky qëllimi.”
Sipas saj, AFËR nuk është krijuar brenda natës dhe as nuk është menduar vetëm si një mënyrë për ta kapitalizuar famën e saj. Para lansimit ka pasur kërkim, zhvillim, prova, investim dhe përfshirje personale në çdo pjesë të procesit.
“Kam qenë e përfshirë në çdo detaj, nga zgjedhja e materialeve dhe prerjeve deri te identiteti i markës. Kjo ka qenë edhe arsyeja që më ka marrë kohë të gjatë ta lansoj.”
Në vend që ta përdorë njohjen publike si zëvendësim për përmbajtjen, Festa synon që emri i saj të jetë vetëm pika e parë e kontaktit. Ajo që duhet ta mbajë markën më tej, sipas saj, është cilësia dhe identiteti që AFËR do të krijojë me kalimin e kohës.
Nora, Flaka dhe gratë brenda një koleksioni
Krijimet e AFËR nuk mbajnë vetëm numra apo kode produktesh. Ato kanë emra grash, si Nora dhe Flaka, duke i dhënë secilës veshje një personalitet përpara se ajo të vishet.
“Më pëlqen ideja që çdo veshje të ketë personalitetin e saj”, thotë Festa.
Disa prej emrave janë frymëzuar nga gra që ajo njeh, ndërsa të tjerët kanë ardhur nga energjia e vetë dizajnit. Ato nuk janë domosdoshmërisht alter-egot e saj, por secila ruan një fragment të mënyrës se si Festa e percepton feminitetin.
“Më pëlqen të mendoj se çdo grua mund ta gjejë veten në njërën prej tyre”, shpjegon ajo, para se të zbulojë edhe detajin më personal të koleksionit: “Nora është emri i mamit.”
Është një informacion i vogël, por që e afron të gjithë projektin me origjinën emocionale të emrit të markës. Në një koleksion të ndërtuar rreth intuitës dhe feminitetit, një prej krijimeve mban emrin e gruas që, në një mënyrë apo tjetër, qëndron në fillim të historisë personale të Festës.

Rregulli që nuk negociohet
Festa ka ndryshuar shumë që nga paraqitjet e saj të para në ekran. Evolucioni ka qenë publik: në stil, në mënyrën e komunikimit dhe në raportin me imazhin e saj. Por me AFËR, ajo hyn në një territor ku çdo zgjedhje nuk reflekton më vetëm shijen personale, por edhe drejtimin e një biznesi.
Rregulli i saj i artë është të mos krijojë kurrë vetëm për hir të sigurisë.
“Të mos krijoj kurrë diçka vetëm sepse është opsioni më i sigurt dhe i pranueshëm”, thotë ajo. “Dua që çdo koleksion të ketë një arsye pse ekziston dhe të jetë diçka që do ta vishja edhe vetë me krenari.”
Ky është standardi që Festa synon ta ruajë edhe kur vendimet e biznesit të bëhen më të mëdha dhe presioni për rezultate më i fortë. Cilësia, identiteti dhe vlerat e markës, këmbëngul ajo, nuk duhet të shkëmbehen me një fitim të shpejtë.
“Besoj që njerëzit e ndiejnë kur diçka është bërë me sinqeritet dhe dua që AFËR ta ruajë gjithmonë atë ndjenjë.”
Ndoshta pikërisht aty qëndron edhe kuptimi i “The Instinct”. Jo në idenë romantike se intuita i ka gjithmonë përgjigjet, por në guximin për ta dëgjuar atë edhe pasi ke mësuar sa shumë punë, përgjegjësi dhe pasiguri fshihen pas një ideje të bukur.
Për Festën, AFËR është një biznes, por nuk është vetëm kaq. Është përpjekja për të krijuar diçka që një grua nuk e vesh thjesht mbi trup, por e ndien si një version më të afërt të vetes. /Prive By Liberta Spahiu


