Ka kaluar më shumë se një vit që kur jeta e saj ndryshoi përgjithmonë me ardhjen në jetë të djalit, por Eriona Sejdiu nuk e ka ndërmend të ndalet. Pasi festoi me madhështi ditëlindjen e parë të vogëlushit Aron në gushtin e vitit 2025 dhe u komentua gjatë në media për rikthimin e saj fantastik në formë fizike, ish-missi dhe moderatorja e njohur ka bërë një lëvizje gjigante në karrierë. Ajo sapo është konfirmuar si Drejtoresha e re Ekzekutive (CEO) e “Miss Universe Kosova”.
Në një postim të fundit në Instagram, Eriona shfaqet tejet elegante në një kostum të bardhë duke mbajtur në dorë marrëveshjen e firmosur, krah producentit të njohur Eduart Deda.
“Krenare të njoftoj se pas vitesh punë, marrëveshja u nënshkrua më në fund. Le të fillojë puna e vërtetë”, ka shkruar ajo, duke zyrtarizuar kështu kalimin e saj nga një ikonë e bukurisë në drejtuesen kryesore të këtij kompeticioni prestigjioz.
Kjo është një ngritje e jashtëzakonshme në detyrë për Erionën, e cila e njeh mirë këtë skenë pasi më parë ka qenë vetë në pozicionin e konkurrenteve kur përfaqësoi Kosovën në “Miss Globe 2019” dhe më vonë bashkëprezantoi me sukses spektaklin e Miss Universe Albania & Kosova. Tani, pas një periudhe të mbushur me emocione private nga martesa përrallore me biznesmenin Blend Rexhepi dhe përkushtimit ndaj mëmësisë, Eriona është gati të diktojë rregullat e reja të industrisë së bukurisë në vend. Mbetet për t’u parë se çfarë fryme të re do të sjellë ajo nga karrigia e shefes në edicionin e ardhshëm. /Prive By Liberta Spahiu


