G-Bani ka reaguar publikisht në mbështetje të Gjestit, i cili pritet të dalë ditën e sotme para trupit gjykues. Arrestimi i këtij të fundit ndodhi dy ditë më parë, pas një incidenti të raportuar në zyrat e kompanisë “Onima”.
Në një postim të gjatë të ndarë në Instastory, G-Bani ka analizuar situatën e Gjestit, duke theksuar se veprimet e fundit të tij nuk e përkufizojnë atë si person, por janë pasojë e rrethanave të rënduara dhe vendimeve të nxituara.
Sipas G-Banit, problemi thelbësor nuk qëndron te vetë artisti, por tek rrethi shoqëror që nuk e ka këshilluar siç duhet. Ai thekson se një mik i vërtetë nuk do ta lejonte Gjestin të bënte veprime të rrezikshme, veçanërisht duke marrë parasysh gjendjen e tij delikate emocionale pas humbjes së vëllait.
“Problemi më i madh i Gjestit, nuk është ai vetë. Ai vetë është i mirë me gjithë të këqijat e tij njerëzore… Problemi më i madh i tij është shoqëria e gabuar,” shkruan G-Bani, duke i faturuar një pjesë të fajit “nxitimit të moshës” dhe presionit të famës.
Në reagimin e tij, reperi nuk ka lënë pa përmendur edhe palën tjetër të përfshirë në konflikt, duke pretenduar se Gjesti është “prerë në besë” kur është denoncuar. Megjithatë, ai pranon se mënyra që Gjesti ka zgjedhur për të zgjidhur problemin ka qenë tërësisht e gabuar.
Teksa Gjesti përballet sot me drejtësinë kosovare, G-Bani shpreh dëshirën që institucionet t’i japin një mësim, por pa i hequr lirinë. Ai sugjeron se një ndëshkim alternativ, siç mund të jetë një gjobë e majme, do të mjaftonte që artisti të reflektonte.
“Nuk besoj se Gjesti përbën rrezik për shoqërinë e Kosovës aq sa të burgoset. Absolutisht jo. Shpresoj mos t’i ndërpritet udhëtimi dhe karriera e tij në këtë pikë,” përfundon G-Bani mesazhin e tij.
Mbetet për t’u parë se cili do të jetë vendimi i Gjykatës ditën e sotme lidhur me masën e sigurisë për artistin pas incidentit që ka tërhequr vëmendjen e mediave dhe publikut. /Prive By Liberta Spahiu



