Gazetari shqiptar nga Tirana, Syrjan Rahova, ka nxitur reagime në rrjetet sociale, pasi në një video të publikuar në TikTok ka përdorur si sfond muzikor këngën “Trepni” të këngëtares serbe Ceca, në një version remix që qarkullon në platformë i atribuar DJ-it të njohur suedez, KAAZE.
Por, përtej trendit muzikor, përzgjedhja e kësaj kënge ka ngjallur kritika, marrë parasysh figurën kontroverse të këngëtares dhe qëndrimet e saj ndër vite ndaj Kosovës.
Svetlana Raznatovic, e njohur si Ceca, ishte bashkëshortja e Zeljko Raznatovicit, i njohur si Arkani, komandant i formacionit famëkeq paramilitar serb “Tigrat e Arkanit”, i lidhur me krime të rënda gjatë luftërave në ish-Jugosllavi.
Arkani ishte akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit nga Gjykata e Hagës, por u vra në Beograd në janar të vitit 2000, pa u përballur me drejtësinë.
Edhe vetë Ceca, ndër vite, nuk ka ngurruar të shfaqë publikisht qëndrimet e saj nacionaliste.
Në dhjetor të vitit 2018, këngëtarja mbajti një koncert në veri të Mitrovicës, në mbështetje të protestave të serbëve kundër taksës së vendosur nga Qeveria e Kosovës ndaj produkteve serbe.
Në vitin 2020, ajo sulmoi verbalisht edhe Dua Lipën, pas publikimeve të artistes shqiptare lidhur me Kosovën, duke e cilësuar atë si një injorante që nuk njeh faktet historike.
Madje, në vitin 2019, Autoriteti i Mediave Audiovizive në Shqipëri i kishte tërhequr zyrtarisht vërejtjen RTSH-së për transmetimin e këngëve të Cecës, duke argumentuar se këngëtarja, përmes deklaratave dhe muzikës së saj, kishte mbështetur veprimet e Arkanit.
Në këtë kontekst, përdorimi i muzikës së saj nga një gazetar shqiptar ngre pikëpyetje që shkojnë përtej preferencave muzikore apo trendeve të TikTok-ut.
Mbetet e paqartë nëse Rahova e ka përdorur këngën e Cecës nga injoranca për faktet historike apo me vetëdije të plotë për figurën që ajo përfaqëson.
Urojmë të jetë kjo e dyta. /Prive By LS


