Pasditen e djeshme u bë i ditur lajmi se është ndaluar artisti i njohur Gjesti për “armëmbajtje pa leje”.
Por, njoftimi zyrtar nga Prokuroria Themelore në Prishtinë në mbrëmje ka konfirmuar edhe dy dyshime të tjera “Kanosje” dhe “Asgjësim apo dëmtim i pasurisë”. Megjithatë, prapa rreshtave të ftohtë të raporteve policore, fshihet një histori e gjatë tensionesh që lidhet me atë që çdo artist e konsideron të shenjtë: frytin e punës së tij.
Burime për Prive By Liberta Spahiu bëjnë me dije se e gjithë situata ka degraduar gjatë ditës së djeshme pas një shkuarje të artistit në zyrat e kompanisë “Onima” me të cilën ai ka pasur bashkëpunim për shpërndarjen e të drejtave digjitale përpara hyrjes në formatin e famshëm. Nuk është sekret që Gjesti edhe gjatë verës që lamë pas ka pasur përplasje publike me këtë kompani.
Për të gjithë ata që e kanë ndjekur sagën, akuzat e artistit kanë qenë të forta dhe të drejtpërdrejta. Gjesti ka akuzuar vazhdimisht kompaninë në fjalë për “padrejtësi të mëdha” që, sipas tij, e detyruan të ndalonte publikimin e çdo projekti të ri. Ai theksonte se “djersa” dhe puna e tij po mbaheshin peng, duke refuzuar kategorikisht të nxirrte këngë të reja nën atë ombrellë derisa të zgjidheshin konfliktet e mbartura rreth të drejtave autoriale dhe kontrollit të monetizimit të kanaleve të tij.
Kompania ishte përgjigjur duke u shprehur se obligimet derivojnë nga kontrata të nënshkuara me vullnet të plotë dhe se “e gjithë zhurma mediatike ishte thjesht një fushatë e orkestruar presioni publik për t’u liruar nga marrëveshja e distribuimit jashtë rrugëve gjyqësore”.
Duket se tentativat për të zgjidhur këto probleme të mbetura pezull nga e kaluara kanë sjellë tensione të larta në zyret e kompanisë në fjalë.
Sipas burimeve tona, në debat e sipër është humbur qetësia.
Gjatë këtij momenti tensioni, raportohet se është demoluar një kompjuter në zyrat e subjektit, çka ka bërë që të lajmërohet policia për kanosje dhe dëmtim të pronës nga ana e drejtuesve të kompanisë.
Artistit i është shqiptuar masa e ndalimit prej 48 orësh. /Prive By Liberta Spahiu


