Bëhuni gati, sepse Miley Cyrus po na kthen pas në kohë! Fituesja e çmimit Grammy ka ndarë të gjitha sekretet e prapaskenave të serialit hit të Disney Channel gjatë speciales së 20-vjetorit të “Hannah Montana”, e cila u publikua sot, më 24 mars, në platformat Disney+ dhe Hulu.
Fiksimet me yjet e Disney-t dhe braktisja e “Jeff-it”
Gjatë këtij rikthimi nostalgjik, këngëtarja e “Flowers” zbuloi pëlqimet e saj për yjet e tjerë të Disney-t në atë kohë, si Dylan Sprouse, Nick Jonas dhe veçanërisht Mitchel Musso (i cili luante rolin e Oliver Oken). Miley tregoi me humor se si Musso i bëri të harronte menjëherë fiksimin e saj të fëmijërisë nga Nashville, një djalë me emrin Jeff.
“Mendoja se Mitchel Musso ishte vërtet i lezetshëm,” pranoi Miley. “Kështu që thashë me vete: ‘Në rregull, mirupafshim Jeff. Tani gjithçka sillet rreth Mitchell. Super! Gjeta një fiksim. Tani jam në rregull.'”
Ushqimet e çuditshme që “tmerronin” Emily Osment
Për sa i përket dinamikës me kolegen e saj Emily Osment, e cila luante rolin e mikeshës së ngushtë, Lilly, Miley rrëfeu një detaj mjaft interesant (dhe paksa të shpifur) rreth zakoneve të saj të të ngrënit.
Ajo zbuloi se porosia e saj e preferuar në sheshxhirim ishte orizi i bardhë nga Panda Express, por me një “kthesë” të papritur: e mbushte me Diet Coke në vend të salcës së sojës. “Bëja diçka vërtet të shpifur,” tha ajo duke qeshur. “Nuk është çudi që Emily mendonte: ‘Kush është kjo katunare që na sollën këtu?’ Unë jam nga Jugu në një mënyrë që është vërtet e vështirë ta përshkruash.”
Pajtimi me Billy Ray Cyrus
Përtej të qeshurave, specialja solli edhe momente mjaft emocionale. Në një bisedë me prezantuesen Alex Cooper, Miley reflektoi mbi ndikimin e prindërve të saj, Tish dhe Billy Ray Cyrus, dhe se si seriali ndryshoi jetën e familjes.
Ajo shprehu lehtësim dhe gëzim që arriti të rregullonte marrëdhënien me babanë e saj, pas zënkës së tyre shumë të përfolur vitin e kaluar.
“Jam shumë e emocionuar që ai është këtu, sepse e di se sa shumë do të thotë marrëdhënia jonë për të gjithë ata që e kanë ndjekur këtë serial. Mendoj se kur unë dhe babi im jemi mirë, njerëzit ndihen më mirë. Thjesht të jep një ndjesi të bukur kur familja Cyrus shkon mirë me njëri-tjetrin.”
Specialja e 20-vjetorit të “Hannah Montana” ofron edhe shumë detaje të tjera, duke përfshirë prapaskenat e paraqitjeve speciale nga emra si Taylor Swift dhe Selena Gomez. /Prive By Liberta Spahiu
View this post on Instagram


