Xhandarmëria turke ka ndaluar të premten 18 persona në Stamboll, në kuadër të një hetimi për përdorim dhe shpërndarje të lëndëve narkotike, bëjnë të ditur mediat turke.
Mes personave të ndaluar janë aktorët e njohur Aras Bulut İynemli dhe Afra Saraçoğlu, si dhe ish-futbollisti i Kombëtares së Turqisë, Hasan Şaş.
Sipas agjencisë së lajmeve DHA, urdhri për ndalimin e tyre është dhënë nga Prokuroria e Përgjithshme e Bakırköy-t, pasi prokurorët kanë vlerësuar se ekzistojnë dyshime të arsyeshme lidhur me përdorimin e lëndëve të ndaluara, lehtësimin e përdorimit të tyre apo ofrimin e ambienteve ku ato janë përdorur.
Autoritetet kanë kryer kontrolle në kuadër të operacionit, ndërsa personat e ndaluar pritet t’u nënshtrohen analizave biologjike dhe të japin deklaratat e tyre para se të paraqiten pranë prokurorisë.
Aras Bulut İynemli njihet edhe për publikun ndërkombëtar për rolin kryesor në filmin turk të vitit 2019, “Mrekullia në qelinë nr. 7”. Ndërsa Hasan Şaş ka qenë pjesë e Kombëtares së Turqisë gjatë Botërorit të vitit 2002, ku skuadra turke përfundoi në vendin e tretë.
View this post on Instagram
Ky operacion është pjesë e një serie hetimesh të përqendruara te figura të njohura publike, të nisura në Stamboll në tetor të vitit 2025. Hetimet gjatë muajve të fundit janë zgjeruar dhe kanë përfshirë aktorë, muzikantë, figura televizive, gazetarë, influencues, biznesmenë dhe persona të lidhur me sektorin e argëtimit.
Në muajt e kaluar, autoritetet kanë ndërmarrë disa operacione të ngjashme, ku janë ndaluar dhjetëra persona. Shumë prej tyre janë liruar pas dhënies së deklaratave dhe kryerjes së analizave toksikologjike.
Ndërkohë, kritikë të hetimeve kanë shprehur shqetësimin se autoritetet po përqendrohen në mënyrë disproporcionale te personat e njohur të dyshuar për përdorim të lëndëve narkotike, ndërsa sipas tyre duhet t’i kushtohet më shumë vëmendje rrjeteve të shpërndarjes në shkallë të gjerë. /Prive By Liberta Spahiu
View this post on Instagram


