Aktorja e njohur e Hollywood-it, Anne Hathaway, ka habitur fansat anembanë botës me një rrëfim të sinqertë dhe të papritur mbi shëndetin e saj. Gjatë një interviste të fundit në podcastin e “The New York Times”, fituesja e çmimit Oscar zbuloi se ka kaluar një dekadë të tërë duke xhiruar filma të mëdhenj ndërkohë që ishte “ligjërisht e verbër” në syrin e saj të majtë.
Ylli i kinematografisë, tani 43-vjeçare, shpjegoi se gjatë të 30-tave të saj vuante nga një katarakt i parakohshëm (perde e syrit). Kjo gjendje ia kishte mjegulluar shikimin në atë masë sa që, nga ana mjekësore, ajo konsiderohej e verbër në atë sy. Pavarësisht kësaj sfide të madhe shëndetësore, Hathaway arriti ta mbante sekret dhe vazhdoi të luante në projekte të suksesshme pa u vënë re nga publiku apo kolegët.
Aktorja tregoi se vendosi t’i nënshtrohej një ndërhyrjeje kirurgjikale vetëm pasi mbushi 40 vjeç. Ajo pranoi se nuk e kishte kuptuar peshën e vërtetë të këtij problemi derisa u operua. Sipas saj, humbja e shikimit në njërin sy po i shkaktonte një stres të vazhdueshëm në nënvetëdije dhe po ia lodhte të gjithë sistemin nervor, duke ndikuar në mirëqenien e saj të përgjithshme.
Sot, pas suksesit të operacionit dhe rikthimit të plotë të shikimit, Anne Hathaway thotë se e sheh jetën me një sy tjetër. Ajo e përshkroi aftësinë për të parë qartë si një “mrekulli të pastër” dhe u shpreh se ndihet jashtëzakonisht mirënjohëse çdo mëngjes kur zgjohet dhe mund të dëshmojë botën me të gjitha ngjyrat e saj. /Prive By Liberta Spahiu


