Këngëtari i njohur Besart Kelmendi, i njohur për publikun si Gjesti, është lënë në paraburgim për një muaj nga Gjykata Themelore në Prishtinë. Vendimi vjen pas incidentit të ndodhur pak ditë më parë në zyrat e kompanisë “Onima”, ku artisti dyshohet për veprat penale të kanosjes, dëmtimit të pasurisë dhe mbajtjes pa leje të armës.
Gjatë seancës dëgjimore, Kelmendi ka shprehur pendesë para trupit gjykues, duke pranuar se kishte vepruar në një moment dobësie.
“Jam në ankth, kam vepruar në gjendje të afektit. I kërkoj falje gjykatës, prokurorit si dhe palës së dëmtuar”, ka deklaruar ai.
Mbrojtja e tij, e përfaqësuar nga avokati Artan Qerkini, ka kundërshtuar kërkesën e Prokurorisë për paraburgim. Sipas avokatit, nuk ekziston rreziku i përsëritjes së veprës, pasi reagimi ishte impulsiv dhe i ndikuar nga gjendja e rënduar financiare e artistit. Qerkini theksoi se Gjesti nuk ka performuar kohët e fundit për shkaqe familjare dhe nuk ka marrë të ardhurat e rregullta nga kompania, ndërsa shtoi se klienti i tij është i gatshëm të hyjë në marrëveshje për pranimin e fajësisë.
Sipas raportimeve nga “Betimi për Drejtësi”, ngjarja ka marrë përmasa serioze për shkak të një mosmarrëveshjeje rreth një borxhi të pashlyer. Dëshmitarët nga stafi i “Onima” kanë rrëfyer në Polici se Kelmendi ka hyrë në objekt duke kërkuar drejtorin e kompanisë, E.Sh. Gjatë këtij episodi, ai ka dëmtuar kompjuterë e xhama, ndërsa ka nxjerrë edhe një armë nga çanta, duke iu drejtuar stafit me fjalët: “Ku është se kam me e vra”. Punonjësit kanë dëshmuar se janë përpjekur ta qetësojnë situatën, por i dyshuari ka vazhduar me kërcënime dhe dëmtime të inventarit.
Pavarësisht pretendimeve të mbrojtjes për masa më të lehta sigurie, gjykata ka vlerësuar se kërkesa e Prokurorisë është e bazuar. Për shkak të rrezikut të ikjes, ndikimit të mundshëm në dëshmitarë dhe përsëritjes së veprës penale, Gjestit i është caktuar masa e paraburgimit, e cila do të zgjasë nga data 11 mars deri më 9 prill 2026. /Prive By Liberta Spahiu


