Një studim i fundit i realizuar nga spitali prestigjioz Mass General Brigham në SHBA ka sjellë një risi të jashtëzakonshme në fushën e mjekësisë dhe teknologjisë: një mjet me Inteligjencë Artificiale të quajtur FaceAge, i cili është i aftë të parashikojë jetëgjatësinë e një pacienti me kancer – vetëm duke analizuar një fotografi të fytyrës së tij.
FaceAge është projektuar për të vlerësuar të ashtuquajturën moshë biologjike, pra sa i vjetër duket trupi i një personi sipas shenjave të jashtme – ndryshe nga mosha kronologjike, e cila thjesht mat vitet që një njeri ka jetuar. Në thelb, kjo teknologji skanon fytyrën dhe identifikon shenja të plakjes që lidhen me gjendjen e përgjithshme të trupit dhe shëndetit të individit.
Në studim, AI u trajnuan mbi 58,000 imazhe publike dhe mbi 6,000 foto të pacientëve me kancer. Rezultatet ishin tronditëse: pacientët me kancer, në mënyrë mesatare, dukeshin më të vjetër sesa mosha e tyre reale, dhe ata që dukeshin ndjeshëm më të moshuar kishin edhe kohë më të shkurtër mbijetese.
Këto të dhëna sugjerojnë se mjekët, duke përdorur FaceAge, mund të bëjnë parashikime më të sakta mbi jetëgjatësinë, e mbi të gjitha, të përshtatin trajtimet në bazë të gjendjes së vërtetë biologjike të pacientit – jo thjesht në bazë të moshës në letër.
Sipas studiuesve, FaceAge ka potencial të bëhet një mjet i lirë dhe i lehtë për t’u përdorur në të ardhmen, që mund të sjellë një revolucion në diagnostikim dhe vendimmarrje klinike. Por gjithashtu theksohet se teknologjia ka ende nevojë për testime të mëtejshme në popullata më të mëdha dhe më të larmishme, përfshirë edhe pacientë me sëmundje të tjera përveç kancerit.
Ky zbulim hap rrugën drejt një epoke të re ku një selfie mund të mos shërbejë vetëm për rrjetet sociale – por edhe për të shpëtuar jetë.