Këngëtarja e njohur dhe politikanja Edona Llalloshi ka reaguar zyrtarisht pas përfundimit të numërimit të plotë të votave për zgjedhjet parlamentare të mbajtura më 7 qershor. Përmes një postimi në rrjetet sociale, Edona ka falënderuar qytetarët për mbështetjen masive që i mundësoi asaj të sigurojë sërish një vend në Kuvendin e Kosovës.
Nga rezultatet përfundimtare të pasqyruara në postimin e saj, Edona ka arritur të grumbullojë plot 31,780 vota. Ky sukses konfirmon pëlqyeshmërinë e saj në politikë, pasi kjo është hera e tretë që ajo kandidon për deputete dhe në të tria herët ka arritur të rreshtohet në mesin e grave më të votuara në vend.
Megjithatë, krahasuar me procesin paraprak elektoral, vrehet një rënie e lehtë në numrin e votave të saj personale. Në zgjedhjet e kaluara të dhjetorit, Llalloshi kishte arritur të grumbullonte mbi 44 mijë vota, që i bie se në këto zgjedhje ajo ka rreth 13 mijë vota më pak. Ky luhatje në numra nuk është e izoluar, pasi përkon plotësisht me performancën e përgjithshme të subjektit të saj politik.
Lista e Lëvizjes VETËVENDOSJE!, nën logon e së cilës ajo garon, ka shënuar një rënie të ndjeshme prej rreth 100 mijë votash në rang kombëtar krahasuar me zgjedhjet e kaluara. Rënia e numrit të votave të Edonës ndjek qartazi këtë trend të rënies së përgjithshme të listës së partisë. Pavarësisht këtij fakti, ajo ka arritur të ruajë pozicionin e saj si një ndër gratë më të votuara nga LVV.
Në mesazhin e saj, Llalloshi njoftoi se Lëvizja VETËVENDOSJE! ka arritur të sigurojë gjithsej 53 mandate në parlament. Ajo u shpreh se kjo mbështetje e madhe tejkalon kontekstin e thjeshtë elektoral dhe përbën një obligim të madh për të punuar me përgjegjësi. “Së bashku do të vazhdojmë të punojmë për një Kosovë më të zhvilluar, më të drejtë dhe me më shumë mundësi për të gjithë”, ka shkruar ajo, duke e mbyllur reagimin me një falënderim nga zemra.
/Prive By Liberta Spahiu
View this post on Instagram


