Kush do ta kishte menduar se presidentja e re e Kosovës do të bëhej kaq shpejt një nga personazhet e preferuara të gjeneratës së re në rrjetet sociale?
Zgjedhja e Justina Shiroka Pulës në krye të shtetit, në orët e fundit të afatit kushtetues, u shoqërua me diskutime të shumta. Emri i saj hyri në skenë në një moment vendimtar politik, ndërsa Kuvendi e zgjodhi presidente me 81 vota.
Por, vetëm pak orë më vonë, vëmendja në rrjetet sociale mori një drejtim krejt tjetër.
Energjia pozitive, buzëqeshja, eleganca dhe mënyra e saj e komunikimit duket se kanë bërë për vete një pjesë të mirë të të rinjve, të cilët po e shohin presidenten përtej protokollit dhe politikës.
TikToku është mbushur me video të montuara, të njohura si “edits”, ku Shiroka Pula shfaqet nën tingujt e muzikës virale, e shoqëruar me shprehje si “pookie” dhe “Shayla”, terma që gjenerata Z i përdor për personazhet që i konsideron të dashur.
E komentet janë histori më vete!
“Na shkriu”, “Sa e bukur, sa e ëmbël është”, “Queen” dhe “Urime për presidenten, një femër me vlera shumë të mëdha”, janë vetëm disa nga reagimet pozitive që po qarkullojnë në rrjete.

Madje, mes komplimenteve ka edhe dëshmi nga ish-studentët e saj, të cilët kujtojnë me admirim kohën kur Shiroka Pula ishte profesoreshë.
“Si studente e saj ishte një ndër profesoreshat më të mira, pozitive, njerëzore e profesionale”, shkruan një komentues, ndërsa të tjerë vlerësojnë thjeshtësinë dhe ngrohtësinë që ajo përcjell.
Është interesant fakti se një presidente me një karrierë të gjatë akademike po gjen kaq shumë simpati pikërisht te gjenerata më e re.
Dhe ndonëse është ende herët për të folur për ndikimin e saj politik, një gjë tashmë është e dukshme: Shiroka Pula ka arritur ta sjellë figurën e presidentes në bisedat e përditshme të Gen Z, madje edhe në ato hapësira ku politika zakonisht nuk është tema e preferuar.
Në një kohë kur politika shpesh shoqërohet me përplasje, presidentja e re po merr vëmendje për diçka krejt tjetër: energjinë pozitive dhe përshtypjen njerëzore që ka lënë.
Dhe, të paktën për momentin, Gen Z duket se e ka gjetur “pookie”-n e vet në politikën kosovare. /PriveBruto



