Në kohën kur Shqipëria po përballet me protesta të fuqishme studentore, të cilat ditët e fundit janë shoqëruar edhe me tensione e përplasje me policinë, këngëtarja e njohur shqiptare, Shkurte Fejza, ka vendosur t’i drejtohet publikisht kryeministrit Edi Rama.
Përmes një letre të gjatë të publikuar në Facebook, artistja kosovare ka bërë thirrje për mirëkuptim, dialog dhe gjetjen e një zgjidhjeje për shqetësimet e të rinjve që kanë dalë në rrugë.
Duke folur jo vetëm si artiste, por edhe si nënë, Shkurta ka theksuar se studentët përfaqësojnë të ardhmen e Shqipërisë dhe se zëri i tyre meriton të dëgjohet, pavarësisht dallimeve në qëndrime.
“Kur studentët ngrenë zërin për shqetësimet e tyre, le t’i dëgjojmë me vëmendje, pa paragjykime dhe pa i parë si kundërshtarë”, është një pjesë e mesazhit të saj.
Këngëtarja i është drejtuar Ramës edhe me një kërkesë të drejtpërdrejtë, duke i kujtuar se madhështia e udhëheqjes qëndron edhe te gatishmëria për të dëgjuar, për të kuptuar dhe për të gjetur rrugën e pajtimit.
Ajo ka kërkuar një zgjidhje që u jep shpresë studentëve dhe familjeve të tyre, duke theksuar se asnjë fitore nuk është më e rëndësishme sesa mirëqenia e qytetarëve.
Në fund të letrës, Shkurte Fejza ka bërë thirrje për qetësi, urtësi dhe drejtësi, duke shprehur dëshirën që të rinjtë të kenë mundësi ta ndërtojnë të ardhmen në vendin e tyre.
Reagimi i artistes vjen në një moment të ndjeshëm për Shqipërinë, ku protestuesit po kërkojnë përmirësimin e kushteve të arsimit, më shumë perspektivë për të rinjtë dhe dorëheqjen e kryeministrit Rama. /Prive By LS



