Ka nisur në gjykatë seanca për caktimin e masës së sigurisë ndaj këngëtarit Jozefin Marku dhe shoferit të tij, Kristjan Nikolli, të arrestuar pas dhunës ndaj Eduard Kuçit.
Prokuroria ka kërkuar që ndaj të dyve të caktohet masa e sigurisë “arrest me burg”.
Gjatë seancës pritet të shqyrtohen rrethanat e ngjarjes dhe roli i secilit prej personave të përfshirë.
Ndërkohë, hetimet për ngjarjen vijojnë.
Prokuroria po verifikon edhe përdorimin e simboleve të Policisë së Shtetit, ndërsa është kërkuar një akt-ekspertim për të përcaktuar nëse Eduard Kuçi ka pësuar dëmtime trupore si pasojë e sulmit.
Kuçi është shpallur gjithashtu në kërkim policor, pasi ndaj tij rëndon akuza për moskallëzim krimi.
Sipas hetimeve, ai nuk e kishte denoncuar fillimisht ngjarjen në polici, duke e përshkruar atë si një konflikt të thjeshtë të shkaktuar nga bllokimi i rrugës me automjet.
Pas verifikimeve të kryera nga policia, ngjarja është trajtuar si rast penal dhe ndaj Kuçit është ngritur akuza për moskallëzim krimi.
Mbrojtja e Jozefin Markut pritet të mbështetet, ndër të tjera, edhe në faktin se Kuçi nuk ka bërë kallëzim për ngjarjen.
Tashmë mbetet në dorë të gjykatës vendimi për masën e sigurisë ndaj Jozefin Markut dhe Kristjan Nikollit. /Prive By Liberta Spahiu


