Medikamenti Ozempic dhe ilaçe të tjera të ngjashme me të, të njohura si GLP-1, janë bërë shumë popullorë vitet e fundit, me rreth 15.5 milionë të rritur në SHBA – afërsisht 6% e popullsisë – që i përdorin ato.
Megjithëse Ozempic nuk tregtohet dhe as nuk është i miratuar zyrtarisht si ilaç për humbje peshe, ai përdoret kryesisht për të trajtuar diabetin e tipit 2; megjithatë, shumë përdorues kanë vënë re se ndihmon edhe në rënien nga pesha. Kjo ndodh sepse medikamentet GLP-1 rregullojnë nivelin e sheqerit në gjak dhe bëjnë që përdoruesit të ndihen të ngopur pas ushqimit. Sigurisht, si me çdo ilaç, ka edhe disa efekte anësore, të cilat disa pacientë i kanë raportuar.
Por tashmë po shfaqen kërkime të reja që tregojnë se injeksioni ka edhe disa efekte të tjera të papritura dhe të mirëpritura. Sipas NPR, si mjekët ashtu edhe pacientët kanë vënë re se ky ilaç duket se zvogëlon dëshirën për alkool, nikotinë dhe opioide. Po ashtu, mund të ndihmojë edhe në uljen e disa sjelljeve kompulsive, si bixhozi dhe blerjet online.
Një nga pacientët që përjetoi këtë ndryshim të habitshëm është J. Paul Grayson, një 73-vjeçar nga Oklahoma. Ai nisi të merrte Ozempic për të menaxhuar peshën, pre-diabetin dhe tensionin e lartë, kur vuri re se qëndrimi i tij ndaj alkoolit kishte ndryshuar.
“Mbaj mend herën e parë që dola për darkë duke marrë Ozempic,” tha ai për NPR. “Porosita një birrë, piva një gllënjkë dhe nuk arrita ta mbaroja. Para Ozempic mund të pija një shishe të tërë vere në një mbrëmje pa shumë mundim, bashkë me një qese çokollatash. Por me Ozempic, edhe një birrë e vetme nuk më bënte më të ndihesha mirë.”
Shkencëtarët nuk u habitën nga kjo. Farmakologia Elisabet Jerlhag nga Universiteti i Göteborg në Suedi ka zbuluar se ilaçet GLP-1 kanë parandaluar rikthimin e varësisë ndaj alkoolit tek minjtë dhe minjët laboratorikë, duke ulur konsumin me mbi 50%.
Ndërkohë, Dr. Lorenzo Leggio, drejtor klinik në Institutin Kombëtar për Abuzimin me Droga në SHBA, shpjegoi se kjo ndodh sepse ilaçet “funksionojnë edhe në tru”.
“Mekanizmi në tru që rregullon ngrënien e tepërt mbivendoset me ato që lidhen me zhvillimin dhe mirëmbajtjen e varësisë, përfshirë çrregullimin nga alkooli,” shtoi ai.
Edhe pse provat deri më tani janë kryesisht anekdotike, Christian Hendershot, psikolog dhe studiues në Universitetin e Karolinës së Veriut, po udhëheq një provë klinike mbi këto efekte.
“Sapo kanë ardhur shumë raportime, si klinike ashtu edhe personale, që sugjerojnë se sjelljet e konsumit të alkoolit po ndryshojnë ndjeshëm tek disa pacientë që marrin Ozempic ose Wegovy. Edhe pse janë kryesisht të dhëna anekdotike, duket se ekziston një sinjal i fortë këtu,” tha ai.
Shkencëtarët shpresojnë që studimet e reja të hapin një fushë të re për trajtimin e varësive nga substancat, alkooli apo duhani. Disa mjekë madje kanë filluar ta rekomandojnë ilaçin për këtë arsye.
Një zëdhënës i kompanisë Novo Nordisk, e cila prodhon Wegovy dhe Ozempic, tha për UNILAD:
“Provimet klinike për Wegovy® (injeksion semaglutide) nuk kanë studiuar posaçërisht ndikimin e ilaçit mbi çrregullimet e varësisë. Ndërkohë që disa studime kanë shqyrtuar rolin e GLP-1 në varësi, Novo Nordisk aktualisht nuk po zhvillon prova klinike të dedikuara për produktet e treguara të semaglutide (Ozempic®, Rybelsus® dhe Wegovy®) tek pacientët me varësi ndaj substancave ose çrregullime të tjera të ngjashme.” /Prive By Liberta Spahiu