Ibrahim Tatlıses është rikthyer në vëmendjen e mediave turke, këtë herë pas disa pamjeve të reja që kanë ngritur shqetësim mes ndjekësve të tij.
Artisti 74 vjeçar është fotografuar së fundmi në Çeşme, teksa po kalonte kohë në një lokal në zonën e Ilıcas. Prania e tij tërhoqi menjëherë vëmendjen e qytetarëve dhe fansave, por ajo që u komentua më shumë ishte ndryshimi i dukshëm në pamjen e këngëtarit.
Tatlıses shihet dukshëm më i dobët, ndërsa humbja në peshë ka bërë që tiparet e fytyrës së tij të duken më të theksuara. Pamjet janë shpërndarë me shpejtësi në rrjetet sociale turke, ku shumë fansa kanë shprehur merak për artistin. Deri tani, vetë Tatlıses nuk ka bërë ndonjë deklaratë lidhur me këto fotografi.

Shfaqja e tij vjen pas një periudhe jo të lehtë shëndetësore. Në prill të këtij viti, Tatlıses u hospitalizua pasi kishte temperaturë të lartë dhe rënie të tensionit, ndërsa më pas iu nënshtrua një operacioni pas problemeve me tëmthin. Mjekët kishin bërë të ditur në atë kohë se ndërhyrja nuk kishte qenë e thjeshtë.
Pas daljes nga spitali, ndryshimi fizik i këngëtarit kishte tërhequr vëmendje edhe më herët, ndërsa gjatë muajit qershor ai vazhdoi edhe me terapi fizike dhe rehabilitim. Tatlıses pati sqaruar atëherë se terapia fizike ishte nisur me dëshirën e tij dhe kishte hedhur poshtë raportimet se ishte shtruar sërish me urgjencë në spital.
Megjithatë, paraqitja e fundit nga Çeşme e ka rikthyer edhe një herë në qendër të vëmendjes gjendjen e artistit të njohur, i cili prej dekadash mbetet një nga figurat më të mëdha dhe më të dashura të muzikës turke. /Prive By Liberta Spahiu



