E gjithë java e finales ka kaluar në një qetësi të pazakontë dhe paksa të çuditshme brenda shtëpisë së Big Brother VIP Kosova. Ndryshe nga tradita e krijuar në tre sezonet e mëparshme, ku ditët e fundit gjithmonë karakterizoheshin nga vizita të njëpasnjëshme dhe hyrje surprizë të ish-banorëve për të krijuar situata të reja, këtë vit dukej se çdo gjë kishte ngrirë. Banorët finalistë dhe publiku prisnin me kureshtje, por dera e shtëpisë mbeti hermetikisht e mbyllur për vizitorë – të paktën deri më sot.
Kjo situatë po ndryshon tani.
Është gjysmëfinalistja Benita Zena, e cila e përmbylli rrugëtimin e saj televiziv vetëm të premten e kaluar, ajo që do të thyejë akullin e kësaj jave.
Faqja zyrtare e formatit sapo ka konfirmuar se ish-banorja do të hyjë “pas pak” në shtëpi.
Ende nuk është bërë e ditur nëse Benita vjen thjesht për darkë, për ndonjë debat të lënë përgjysmë, apo për të trazuar ujërat mes finalistëve pak orë para kurorëzimit të fituesit. Gjithsesi, prezenca e saj pritet të thyejë rutinën e orëve të fundit. / Prive By Liberta Spahiu


