Lule Mustafa, më e vogla e Motrave Mustafa, ka folur për herë të parë më gjerësisht pas vendimit për të vazhduar e vetme rrugëtimin e saj artistik.
Në muajin gusht, këngëtarja njoftoi se pas 19 vitesh angazhime të përbashkëta, nga viti i ardhshëm do të vazhdojë me grupin e saj, duke nisur kështu një kapitull të ri profesional.
E ftuar në rubrikën “25 Pyetje” në Prive By LS, Lulja tregoi se kjo ide nuk ka ardhur papritur, por ishte diskutuar prej vitesh edhe me vetë motrat.
“Ka shumë vite që edhe me motrat e kemi biseduar. Më kanë thënë: ‘Lule, është mirë me fillu’. I kisha dasmat e organizuara nga motrat, rehatinë, comfort zonën. Këngë shumë rrallë, një herë në vit një baladë. Tash po e vërej vetvetiu një energji që e kam me punu ma shumë këngë”, tregoi ajo.
Sipas Lules, vendimi nuk lidhet me ndonjë problem mes tyre, por me dëshirën e saj për ta provuar veten duke marrë vetë përgjegjësinë për karrierën.
“Du me provu veten pa i pasur motrat gjithë në krah. Ato më kanë nejt gati. Pa to s’jam send. Thjesht po du me provu me pas barrën vetë, dasmën vetë”, u shpreh këngëtarja.
Por momenti i ndarjes artistike nuk ka kaluar pa emocione.
E pyetur se cila prej motrave ishte mërzitur më së shumti nga vendimi, Lulja tregoi se postimi kishte prekur të gjithë familjen, përfshirë edhe vetë atë.
“Me të thënë të drejtën, u mërzitën jo vetëm ato, por edhe unë kur e kam bërë postimin. Ka qenë dasma e fundit e sezonës edhe kur kam dalë me këndu, njëfarë emocioni. U rrita me to. Pat lot”, rrëfeu ajo.
Lulja zbuloi edhe reagimin e Sahides pasi kishte parë njoftimin e saj.
“Kur kom shku, Sahidja më tha: ‘Oh, çka më ke bo ti me atë shkrim’. Ne nuk jemi të ndara, tërë jetën bashkë. Kemi me pasë një bashkëpunim bashkë, tash së shpejti”, tha ajo, duke paralajmëruar kështu edhe një projekt të ri me motrat.
Në “25 Pyetje” nuk kaloi pa u diskutuar as një detaj që kishte nxitur pikëpyetje në rrjet: mungesa e një urimi publik në Instagram nga motrat për kapitullin e ri të Lules. Ajo sqaroi se mbështetja ka ekzistuar, por urimi ishte bërë në Facebook dhe për këtë arsye nuk ishte parë në Instagram, duke hedhur poshtë kështu aludimet se mes tyre mund të kishte pasur hatërmbetje.
Ndiqeni intervistën e plotë më poshtë. /Prive By LS


