Gjykata e Lartë nuk ka pranuar rekursin e mjekëve Elona Burba dhe Petrit Rexhepi, duke lënë në fuqi vendimin e Gjykatës së Apelit, siç raporton gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha.
Të dy mjekët janë cilësuar fajtorë për mjekim të pakujdesshëm në dëm të Doriana Hakës, ish-bashkëshortes së ish-portierit Alban Hoxha.
Sipas vendimit të Gjykatës së Lartë, mjekët nuk kanë kryer ekzaminimet e nevojshme, ndërsa Doriana Haka humbi jetën pas lindjes së fëmijës së saj të parë.
Ngjarja tragjike ndodhi në nëntor të vitit 2014, dy javë pasi Doriana Haka kishte sjellë në jetë djalin.
Në nëntor të vitit 2025, mjekja reanimatore Elona Burba u shpall fajtore dhe u dënua me 1 vit burg, dënim i cili u konvertua në 2 vite shërbim prove.
Gjykata gjithashtu vendosi pezullimin e licencës së saj për një periudhë 2-vjeçare.
Ndërkohë, kirurgu Petrit Rexhepi u shpall fajtor dhe u dënua me 6 muaj burg, të cilët u konvertuan në 12 muaj shërbim prove.
/Prive By Liberta Spahiu


