Pas gjashtë sezonesh dhe plot 533 emisioneve, Resul Sinani i ka dhënë fund rrugëtimit të tij me “Libero” në ATV. Në transmetimin e fundit, moderatori mori pak minuta për të ndarë disa fjalë zemre me publikun, duke e përshkruar këtë moment si mbylljen e një kapitulli shumë të rëndësishëm në jetën e tij profesionale.
Duke shpjeguar arsyet e këtij vendimi që ai vetë e quajti jo të lehtë, Resuli theksoi nevojën për të ecur përpara dhe për t’u rritur në karrierë. “Jeta profesionale, ashtu si vetë jeta, na vendos shpesh përballë vendimeve që nuk janë të lehta,” tha ai, duke shtuar se rritja kërkon guxim për të dalë nga zona e rehatisë dhe për të nisur një rrugëtim të ri. Për këtë arsye, ai theksoi se ka zgjedhur të marrë një drejtim tjetër: “Pas shumë reflektimeve kam marrë një vendim… të pranoj sfida të reja, horizonte të reja dhe ëndrra të reja profesionale,” u shpreh gazetari, pa harruar të falënderojë thellësisht drejtuesit, kolegët dhe shikuesit. Ai e përmbylli fjalën e tij pa një lamtumirë përfundimtare: “Sonte nuk po them lamtumirë, po them faleminderit. Mirë u takofshim në shtator!”
Ndërsa ai vetë nuk e bëri të ditur destinacionin, Prive By Liberta Spahiu mëson se kalimi i tij në një televizion tjetër është tashmë një çështje e kryer, dhe konkretisht bëhet fjalë për Klan Kosova.
Ky rikthim në ekran gjatë vjeshtës pritet të shoqërohet me angazhime të reja. Megjithatë, ky nuk do të jetë transferimi i vetëm i kësaj vere. Merkatoja mediatike është mjaft aktive dhe pritet të ketë edhe lëvizje të tjera të rëndësishme mes televizioneve kosovare para fillimit të sezonit të ri. /Prive By Liberta Spahiu


