Është e vështirë të besohet se kanë kaluar plot dhjetë vjet nga viti 2016, dhe siç duket, edhe interneti po e ka të vështirë ta pranojë këtë fakt.
Ndërsa fillimi i një viti të ri zakonisht shënon një moment për të parë nga e ardhmja, këtë herë përdoruesit e rrjetit kanë bërë saktësisht të kundërtën.
Sapo akrepat shënuan mesnatën e 1 janarit 2026, platformat sociale u pushtuan nga postime që e shpallin këtë vit si “2016-tën e re”, duke ndajtur foto të vjetra dhe video me filtrat ikonikë të asaj kohe, si ai “Rio de Janeiro” që dikur ishte i pandashëm nga çdo postim në Instagram.
Ky trend ka në zemër një nostalgji të thellë, ku njerëzit shprehin mallin për atë që shumë e përshkruajnë si një kohë më të thjeshtë dhe më pak të komplikuar.

Ky shpërthim nga e kaluara po nxitët kryesisht nga fakti që zyrtarisht u mbush një dekadë, dhe njerëzit online kanë vendosur se jemi “borxhlinj” për një rikthim të energjisë së atij viti.
Vetëm në TikTok, hashtagu #2016 ka arritur tashmë shifrën mbresëlënëse prej 1.7 milionë postimesh.
Trendi nisi të merrte hov që në prag të Vitit të Ri, kur përdoruesja @taybrafang publikoi një montazh momentesh virale ku përfshiheshin aplikacioni Musical.ly, vajzat me kurora lulesh dhe hiti “Panda” i reperit Desiigner, duke shkruar se e gjithë kjo ndodhi saktësisht një dekadë më parë.
Përdoruesit po u kthehen rrënjëve të kulturës së rrjeteve sociale, duke rikthyer filtrat me veshë qeni të Snapchat-it, duke tentuar sërish sfidën e rrotullimit të shishes “Bottle Flip Challenge” dhe duke nxjerrë nga dollapi xhinset skinny, varëset choker dhe rrobat me dantellë.
Muzika po luan gjithashtu një rol kyç, ku këngë si “Black Beatles”, “Lean On”, “Starboy” dhe “Love Yourself” po shërbejnë sërish si kolona zanore e përditshmërisë sonë digjitale, duke u ngjitur sërish në listat e dëgjimit.
Arsyeja pse jemi kaq të fiksuar pas vitit 2016 lidhet me rëndësinë e madhe kulturore që ai vit pati. Edhe pse në atë kohë shprehja “F— 2016” ishte trend për shkak të ngjarjeve politike si Brexit apo humbjes së legjendave si Prince dhe David Bowie, kujtimet e bukura duket se kanë mbetur më gjatë.
Ishte viti kur miliona njerëz dolën rrugëve për të luajtur Pokémon Go, kur Beyoncé publikoi albumin “Lemonade” dhe kur sfida “Mannequin Challenge” pushtoi çdo cep të internetit.
Nga krijuesit e vegjël e deri te yjet botërorë, askush nuk po i reziston kësaj vale. Këngëtari Charlie Puth postoi një video duke kënduar hitin e tij të vjetër me Selena Gomez, ndërsa Hailey Bieber u shfaq në TikTok me Kendall Jenner duke festuar miqësinë e tyre që zgjat prej asaj kohe.
Duket se bota e vitit 2026 nuk është ende gati të ecë përpara pa marrë me vete pak nga thjeshtësia dhe argëtimi i pakushtëzuar që karakterizoi vitin 2016. /Prive By Liberta Spahiu



