Ato janë jashtëzakonisht të vogla në dukje, por brenda tyre fshihen vlera ushqyese. Farat Chia (të cilat vijnë nga bima Salvia hispanica) janë të mbushura plot me vitamina, minerale, antioksidantë dhe lëndë të tjera ushqyese që mbështesin fuqishëm energjinë dhe shëndetin tonë të përgjithshëm.
Por, a jepni vërtet energji të menjëhershme farat chia?
Ndonëse konsumimi i një sasie farash chia përpara një stërvitjeje apo gare nuk është vërtetuar se jep një rritje të rrufeshme të energjisë, përfshirja e tyre në dietën tuaj të përditshme bën mrekulli për nevojat afatgjata të trupit. Sekreti i tyre qëndron tek kombinimi i përsosur i makronutrientëve (karbohidrate, proteina dhe yndyrna) dhe mikronutrientëve, të cilët janë jetikë për prodhimin e energjisë.
Si funksionojnë lëndët ushqyese të farave chia në trupin tonë?
Karbohidratet dhe Fibra: Karbohidratet janë burimi kryesor i karburantit për trupin, të cilat kthehen në glukozë për të gjeneruar energji. Ndërkohë, fibra dietike (një lloj i veçantë karbohidrati) ngadalëson tretjen, duke ju ndihmuar të ndiheni të ngopur dhe plot energji për një kohë më të gjatë.
Proteina e pasur: Proteina e gjendur te farat chia ngadalëson mënyrën se si trupi përdor glukozën. Kjo gjë parandalon rënien e menjëhershme të energjisë dhe ju mban të ngopur mes vakteve.
Yndyrnat e shëndetshme (Omega-3): Këto fara janë një burim i shkëlqyer i acideve yndyrore omega-3, të cilat përmirësojnë metabolizmin qelizor dhe rrisin shpejtësinë me të cilën trupi e kthen ushqimin në energji të pastër.
Mineralet dhe Antioksidantët: Farat chia janë të pasura me hekur, zink, magnez dhe kalcium, të cilët rrisin shpejtësinë e prodhimit të energjisë në nivel qelizor. Nga ana tjetër, antioksidantët luftojnë radikalet e lira, duke reduktuar dëmtimin e qelizave që shkakton lodhje.
Përfitimet e tjera fantastike dhe kujdesi që duhet të tregoni
Përveç energjisë, farat chia ofrojnë një sërë benefitesh për trupin e një njeriu që dëshiron të qëndrojë në formë. Ato përmirësojnë ndjeshëm tretjen dhe ndihmojnë në menaxhimin e peshës trupore, pikërisht sepse kombinimi i fibrave dhe proteinave mban larg urinë e tepërt. Gjithashtu, acidet omega-3 që ndodhen në to janë një “mbrojtës” i shkëlqyer për shëndetin e zemrës dhe uljen e tensionit të gjakut.
Megjithatë, ashtu si me çdo gjë tjetër, sekreti qëndron tek masa! Për shkak të përmbajtjes së lartë të fibrave, nëse i konsumoni farat chia në sasi të tepërt, ato mund të shkaktojnë efekte anësore si fryrje stomaku, gazra apo probleme me tretjen. Mos harroni se një ushqim i vetëm nuk mund të zgjidhë çdo problem shëndetësor, ndaj një konsultë me mjekun tuaj është gjithmonë ideja më e mirë nëse doni të mësoni më shumë për ndikimin e tyre në organizëm! /Prive By Liberta Spahiu


