Selena Gomez ka vendosur të flasë hapur për një zakon që, sipas saj, i ka lënë pasoja në zë dhe që prej kohësh kishte nxitur diskutime mes fansave.
Këngëtarja dhe aktorja 34-vjeçare ka zbuluar përmes një videoje në Instagram se përdorimi i shpeshtë i cigareve elektronike me nikotinë ka ndikuar në ndryshimin e zërit të saj.
“Kam përdorur shumë cigare elektronike me nikotinë. Është jashtëzakonisht e vështirë të heqësh dorë prej saj. Nëse po mendoni ta provoni, nuk ia vlen”, është shprehur Selena.
Artistja ka pranuar se tashmë e ka ndërprerë përdorimin e tyre, por beteja për të qëndruar larg nikotinës nuk ka qenë aspak e lehtë.
“Ma ka ndryshuar zërin. Jam shumë e lumtur që e kam lënë dhe shpresoj të vazhdoj kështu. Është shumë e vështirë”, ka treguar ajo.
Ndryshimet në zërin e Selenës kishin qenë temë diskutimi prej kohësh në rrjetet sociale. Në dhjetor të vitit të kaluar, ajo kishte shpjeguar se ndonjëherë përjetonte ënjtje në fyt, pa e lidhur atëherë drejtpërdrejt me përdorimin e nikotinës.
Këtë herë, përveç rrëfimit personal, Selena kishte edhe një mesazh për ndjekësit që po përpiqen të heqin dorë nga ky zakon: të mos dorëzohen, sado i vështirë të jetë procesi. /Prive By LS


