Senatori i njohur amerikan, Bernie Sanders, ka bërë një reagim të fortë në rrjetin social ‘X’ lidhur me protestat masive që po zhvillohen në Shqipëri kundër projekteve të mëdha turistike në zonat e mbrojtura.
Përmes një postimi të shoqëruar me një fotografi nga protesta në rrugët e Tiranës, Sanders ka tërhequr vëmendjen e opinionit ndërkombëtar mbi atë që po ndodh në Shqipëri.
Në mesazhin e tij, senatori amerikan vë theksin te përmasat e revoltës qytetare dhe arsyet mjedisore që i kanë shtyrë njerëzit të ngrihen. Ai shprehet tekstualisht: “Në Shqipërinë e vogël, mbi njëqind mijë njerëz kanë dalë në rrugë kundër një resorti luksoz me pasoja shkatërruese për mjedisin…”.
Më tej, Sanders specifikon hapur emrat e investitorëve dhe personave që qëndrojnë pas këtij projekti që ka nxitur reagimin e ashpër të komunitetit. Ai sqaron se ky resort është “i planifikuar nga dhëndri i Trump-it, Jared Kushner, dhe partnerët e tij miliarderë nga Katari”.
Në mbyllje të reagimit të tij, senatori amerikan ka përdorur një gjuhë të ashpër kritike për të përshkruar bashkëpunimin mes politikës dhe kapitalit të madh në dëm të natyrës. Ai e ka cilësuar këtë situatë si një shembull të pastër të korrupsionit të madh ndërkombëtar, duke thënë: “Kjo është pamja që ka oligarkia globale — dhe njerëzit po thonë JO”. /Prive By Liberta Spahiu
In tiny Albania, over a hundred thousand people have been in the streets against an environmentally disastrous luxury resort planned by Trump’s son-in-law Jared Kushner and his Qatari billionaire partners.
This is what global oligarchy looks like — and the people are saying NO. pic.twitter.com/2odMveCXL3
— Sen. Bernie Sanders (@SenSanders) June 9, 2026


