7 shenjat që partneri yt mund të jetë i rrezikshëm – disa prej tyre duken si dashuri!
“Nuk më ka goditur kurrë.” Por a do të thotë kjo se nuk ka dhunë? Jo!
Pas vrasjes së një gruaje që tronditi Kosovën, po flasim për shtatë sjellje të partnerit që shpesh ngatërrohen me dashurinë, por në të vërtetë janë sinjale alarmi.
E para: Kërkon lokacionin tënd vazhdimisht dhe zemërohet nëse nuk ia hap telefonin. Nuk është kujdes, është kontroll.
E dyta: I kritikon të gjithë njerëzit e tu, derisa fillon të largohesh nga shoqëria dhe familja.
E treta: Të tregon si të vishesh, me kë të flasësh, madje edhe si t’i shpenzosh paratë. Vendimet e tua bëhen problem.
E katërta: Të fyen, shpërthen dhe pastaj thotë: “Ti më detyrove!” Kështu, fajin për sjelljen e vet ta ngarkon ty.
E pesta: Godet muret, thyen gjëra ose të frikëson me gjeste. Edhe pa të prekur, kjo është dhunë.
E gjashta: Të kërcënon se do të lëndojë veten, ty apo familjarët e tu nëse vendos të largohesh.
E shtata: Nuk e pranon ndarjen. Të ndjek, shfaqet papritur ose të telefonon pa pushim, pavarësisht se i ke kërkuar të ndalojë.
Këto shenja nuk parashikojnë me siguri një krim, por janë arsye serioze për të kërkuar ndihmë.
Nëse ndihesh në rrezik, mos u përball vetëm. Kërko mbështetje për një largim të sigurt. Telefono Policinë në 192. Jepi jehonë publike rrezikut kur institucionet dështojnë ta bëjnë shpejt punën e tyre.
Dhe mbaje mend: Përgjegjësia për dhunën nuk është kurrë e viktimës! /Prive By LS
View this post on Instagram


