Reperja e mirënjohur Tayna ka festuar mbrëmjen e kaluar një moment historik në karrierën e saj, duke organizuar një event madhështor për promovimin e albumit të ri të titulluar “Genesis”.
Ky organizim shënoi gjithashtu edhe 8-vjetorin e saj në skenën muzikore, një rrugëtim i mbushur me suksese të padiskutueshme dhe një ndikim të madh në industrinë e muzikës shqiptare.
Në një intervistë për “Prive by Liberta Spahiu”, Tayna u rikthye pas në kohë duke kujtuar me nostalgji fillimet e saj, pikërisht atëherë kur po xhironte këngën që do t’i ndryshonte jetën përgjithmonë, “Columbiana”. Ajo ndau një kujtim mjaft interesant nga ato ditë kur ende nuk e njihte askush.
“Me kujtohet, pata bërë klipin në Fushë Kosovë në një shisha bar dhe krejt klientët shikonin, sepse atëherë unë nuk isha e njohshme,” u shpreh artistja.
Sot, pas shumë vitesh në majat e top-listave dhe me një sukses që ka kaluar kufijtë kombëtarë, Tayna tregoi para kamerave të “Prive By LS” se gjithmonë ka pasur besim te vetja. E pyetur për suksesin ndërkombëtar që gëzon sot, ajo u përgjigj me plot vetëbesim:
“Po, e kam ditur që dikur ka me ndodhur kjo që po ndodh sot.”
Për sa i përket projektit të saj më të ri, albumit “Genesis”, reperja zbuloi se gjithçka rrodhi në mënyrë shumë natyrale dhe të shpejtë, e shtyrë nga një valë e madhe frymëzimi. Ajo shpjegoi se ky album është pasqyrim i pastër i jetës së saj reale dhe i gjithçkaje që ka përjetuar.
“E kam bërë shumë shpejt sepse më ka ardhur frymëzimi kreativ dhe për tre muaj e kam përfunduar”.
/Prive By Liberta Spahiu


