Duket se Taylor Swift dhe Travis Kelce nuk e kanë ndërmend të martohen në Madison Square Garden të Nju Jorkut, ashtu siç përflitej.
Përkundrazi, të gjitha gjurmët të çojnë drejt vilës përrallore të këngëtares në bregdetin e Rhode Island, ku me sa duket po organizohet diçka e madhe e lidhur me dasmën.
Mbrëmjen e së mërkurës, shtëpia e Taylor-it gumëzhinte nga lëvizjet.
Fillimisht, në ballkon u pa shoqja e saj e ngushtë, Abigail Anderson Berard, me një fëmijë të vogël në krahë, që sipas të gjitha gjasave është djali i saj që mbush dy vjeç në gusht.
Ndërkohë, një video që po qarkullon në TikTok ka kapur katër vajza në tarracë: tri prej tyre të veshura me të zeza dhe e katërta – një bjonde – e veshur e gjitha me të bardha.
Për të përforcuar dyshimet, një fqinj i zonës tregoi për TMZ se dritat e vilës, që zakonisht qëndrojnë të fikura, rreth orës tetë të mbrëmjes ishin të gjitha të ndezura, duke e ndriçuar shtëpinë fund e krye.
Gjithashtu, masat e sigurisë rreth pronës ishin të jashtëzakonshme.
I njëjti dëshmitar rrëfeu se sapo portat u hapën për të dalë një SUV me xhama të zinj, një roje i armatosur qëndroi në gatishmëri absolute derisa hyrja u mbyll sërish.
Sikur të mos mjaftonte kjo, në zonën e plazhit u panë edhe dy roje të tjerë të armatosur që vëzhgonin territorin me dylbi gjigante.
Ndonëse festa në Nju Jork është planifikuar për datën 3 korrik, gjithçka të jep përshtypjen se dasma e vërtetë do të bëhet përpara asaj dite.
A po përballemi me një dasmë sekrete, një festë beqarie? Na mbetet vetëm të presim. /Prive By Liberta Spahiu


