Tensioni ishte i dukshëm gjatë ceremonisë zyrtare të peshimit pak orë para se Drilon Rama të ngjitet në ring. Fituesi i edicionit të tretë të Big Brother VIP Kosova u përfshi në një moment mjaft të nxehtë, pasi ai dhe kundërshtari i tij çek, Jan Maršálek, patën një përplasje fizike ballë për ballë. Ndonëse këto shtyrje dhe provokime janë një pjesë rutinë e marketingut dhe show-t në botën e boksit për të rritur interesin para eventit, situata mori vëmendjen e plotë të të pranishmëve dhe detyroi sigurimin të ndërhynte me shpejtësi për t’i ndarë dy boksierët.
E gjithë kjo ngjarje vjen vetëm pak para meçit që do të zhvillohet nesër, më 11 korrik, në “Porsche-Arena” në Stuttgart të Gjermanisë. Sfida e Drilonit është pjesë e një eventi të rëndësishëm sportiv, ku ndeshja kryesore, e quajtur “One Last Dance”, sjell përballjen mes boksierëve Felix Sturm dhe Granit Stein. Driloni ka treguar një formë mjaft të mirë fizike në këtë ceremoni dhe është kujdesur që t’i lërë një mesazh të qartë rivalit të tij edhe pas peshimit.
Përmes një videoje të publikuar në llogarinë e tij në Instagram, ku duket duke pozuar pas incidentit, ish-banori i BBVK ka shkruar fjalët: “Sot shpëtove, po nesër nuk shpëton!”. Për t’i dhënë më shumë efekt këtij paralajmërimi, ai ka shoqëruar videon me këngën “Black Terror” të reperit të njohur Don Xhon. Tani mbetet vetëm të presim të shohim se çfarë do të ndodhë nesër mbrëma, kur përballja të zhvendoset zyrtarisht brenda ringut. /Prive By Liberta Spahiu


