Teksa Brikena Selmani po shijon javët e fundit dhe po lufton fort brenda shtëpisë së Big Brother VIP Albania, jashtë saj vëmendja është tërhequr nga një ngjarje krejt tjetër. Mbrëmjen e kaluar u transmetua një episod i shumëpërfolur i programit “Doktor Plastik”, ku protagoniste ishte pikërisht banorja e njohur. Pamjet e transmetuara, të cilat përfshinin momente mjaft të rënda nga salla e operimit, bënë xhiron e rrjetit dhe shkaktuan reagime të shumta nga publiku që është mësuar ta shohë atë në përditshmërinë e shtëpisë. Në këtë episod të xhiruar gjatë sezonit të verës, u zbulua se Brikena i ishte nënshtruar ndërhyrjeve estetike, konkretisht një “temporal lift” për tërheqjen e syve, vetullave dhe mollëzave.
Por ajo që ngjalli më shumë debate në rrjetet sociale ishte padyshim koha e transmetimit.
Pse u zgjodh pikërisht ky moment kur rrugëtimi i saj në reality show po shkon drejt finales? Për të shuar çdo aludim të ndjekësve dhe komenteve të ashpra në rrjet, produksioni i “Doktor Plastik” theu heshtjen me një deklaratë zyrtare.
Ata theksuan fillimisht se episodi është realizuar disa muaj përpara se ajo të bëhej pjesë e formatit televiziv dhe hodhën poshtë çdo pretendim se publikimi lidhet me dinamikat apo zhvillimet e saj aktuale brenda shtëpisë.
Në deklaratën e tyre publike, stafi sqaroi një detaj mjaft interesant: vendimi për ta transmetuar videon në këtë periudhë ishte marrë me kërkesë të vetë Brikenës. Sipas programit, ky kusht u vendos drejtpërdrejt nga ajo me qëllimin e vetëm që të mos i cënohej imazhi gjatë qëndrimit në programin e ndjekur. Me këtë reagim, “Doktor Plastik” sqaroi se ka vepruar në mënyrë korrekte, transparente dhe në respekt të plotë të marrëveshjes me banoren, duke kërkuar nga mediat dhe publiku që të mbështeten në fakte dhe jo në aludime. /Prive By Liberta Spahiu


