Një ngjarje e rëndë ka tronditur Durrësin, ku një aksident tragjik rrugor në zonën e Manzës i ka marrë jetën tre personave dhe ka lënë dy të tjerë të lënduar.
Çifti i posamartuar, 25-vjeçari Kleo Vrioni dhe bashkëshortja e tij, shtetasja italiane Sara Brugentelli (26 vjeçe), ndërruan jetë vetëm pak ditë pasi kishin kurorëzuar dashurinë e tyre në martesë.

Nga përplasja fatale humbi jetën në vendngjarje edhe 15-vjeçari Alvi Muhaxhiri, i cili udhëtonte me ta. Të plagosur mbetën Rejsi Vrijoni, 26 vjeç, si dhe një 16-vjeçar me inicialet K. D., të cilët u transportuan me urgjencë drejt Tiranës për mjekim të specializuar. Burimet bëjnë me dije se 16-vjeçari ndodhet në gjendje kritike për jetën, raporton Dritare.net
Sipas të dhënave paraprake nga policia, të rinjtë po ktheheshin nga një lokal nate në zonën e Maminasit. Drejtuesi i mjetit, Kleo Vrioni, dyshohet se po udhëtonte me shpejtësi tej normave të lejuara, çka i ka bërë të humbë kontrollin dhe të përplaset fuqishëm me një bordurë betoni.
Forca e goditjes ka qenë e paimagjinueshme: automjeti është shkatërruar plotësisht dhe pjesët e tij janë shpërndarë në një rreze të gjerë në rrugë. Policia dhe grupi hetimor vijojnë punën për zbardhjen e plotë të dinamikës dhe shkaqeve të kësaj tragjedie që mbylli në mënyrë fatale udhëtimin e të rinjve. /Prive Bruto



