Yjet e muzikës bullgare, Azis dhe Tsvetelina Yaneva, kanë publikuar së fundmi bashkëpunimin e tyre më të ri të titulluar “Havte”. Por, përtej ritmeve ballkanike që karakterizojnë dyshen dhe videoklipit të realizuar në një ambient aeroporti, vëmendja e publikut shqiptar do të shkojë menjëherë te vija melodike. Ajo tingëllon identike me super hitin e pavdekshëm “Valle Kosovare”, këngë që mban vulën e artistit të ndjerë, Shpat Kasapi.
Kjo ngjashmëri vjen në një kohë kur kënga origjinale shqiptare po përjetonte një rikthim masiv ndërkombëtar.
“Valle Kosovare” u bë virale në platformën TikTok, duke u përdorur në miliona video edhe nga të huajt, vetëm pak javë përpara se Shpati të ndahej nga jeta papritur. Duket se ky trend global nuk u ka shpëtuar as producentëve të huaj, të cilët kanë vendosur ta sjellin këtë melodi në një version të ri për tregun bullgar.
Në kreditet zyrtare të këngës “Havte”, e cila është punuar nga producenti Costi, nuk figuron asnjë referencë për krijuesit e “Valles Kosovare” apo për Shpat Kasapin. Ne po ju lëmë më poshtë të dëgjoni projektin e ri të Azis dhe Tsvetelina për të gjykuar dhe për t’u bindur vetë nëse kemi të bëjmë me një kopje të pastër të hitit të Shpatit / Prive By Liberta Spahiu


