Një lajm tronditës ka goditur skenën e muzikës gjermane – sipas të përditshmes BILD, reperi i njohur Xatar ka ndërruar jetë. Ai raportohet të ketë vdekur gjatë natës mes të enjtes dhe të premtes në qytetin e Këlnit, ku edhe jetonte prej vitesh.
Shkaku i vdekjes ende nuk është bërë i ditur.
Burime të afërta me reperin kanë konfirmuar lajmin për ndarjen nga jeta të artistit, i cili ishte një figurë ikonike në hip-hopin gjerman. Mes të parëve që e kanë bërë publike lajmin ishte kolegu i tij, Farid Bang, i cili reagoi përmes Instagramit. Edhe ish-promoterja e tij, Marina Buzunashvilli, publikoi një foto të Xatar me mesazhin emocional: “Derisa të shihemi sërish.”
Xatar, emri i vërtetë i të cilit është Giwar Hajabi, lindi në Iran dhe u largua si refugjat drejt Gjermanisë së bashku me familjen. Ai la pas gruan e tij Farvah dhe pesë fëmijët e tyre. Çifti kishte më shumë se 15 vite bashkë.
Jeta e Xatar ishte po aq e trazuar sa edhe muzika e tij. Që në adoleshencë, ai u përfshi në rrugë të errëta, duke nisur me shitjen e drogës në moshën 14-vjeçare dhe më pas duke ndërtuar lidhje me botën e krimit. Ai konsiderohet si gangster-reperi i parë në Gjermani.
Në vitin 2009, Xatar organizoi një nga grabitjet më të famshme në historinë e Gjermanisë – së bashku me bashkëpunëtorët e tij, u maskuan si zyrtarë doganorë dhe grabitën një furgon me mallra të çmuara në Ludwigsburg. Ata morën 120 kilogramë ar dhe stoli me vlerë 1.8 milionë euro. Ari nuk është gjetur kurrë.
Pas një arratisjeje ndërkombëtare që kaloi përmes Moskës në Irak, Xatar u arrestua nga shërbimi sekret irakian dhe më pas u ekstradua në Gjermani, ku u dënua me tetë vite burg. Ai qëndroi vetëm tre vjet pas grilave, por karriera e tij mori një kthesë të re pas lirimit.
Gjatë kohës në burg, ai regjistroi albumin “415” nën batanije, duke e kthyer famën e tij në një biznes të vërtetë muzikor dhe më vonë edhe në gastronomi. Në vitin 2022, historia e jetës së tij u shndërrua në film nga regjisori i njohur Fatih Akin me titullin “Rheingold”, ku aktori Emilio Sakraya portretizoi Xatarin.
Në premierën e filmit, ai tha: “Nuk ka më gangster brenda meje. Isha i tillë sepse më duhej të isha.”
Ndërsa muzika dhe historia e tij do të mbeten përherë pjesë e kulturës urbane në Gjermani, ndarja e tij e parakohshme ka lënë një boshllëk të madh në zemrat e fansave.